Kryetari i komanduar i PD-së në Fier, Agron Kapllanaj nuk do e mbajë fjalën e dhënë se ai do të jepte dorëheqjen nëse Bashkinë e Shkodrës do e fitonte Sali Berisha.
Ndërsa shkonte në selinë blu për mbledhjen e thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha, i pyetur nga gazetarët Kapllanaj u justifikua duke thënë se është nxituar për atë deklaratë.
“Kam thënë unë? Ndoshta ka qenë deklaratë e nxituar. Po Shkodrën s’e kemi humbur ne. Shkodrën e ka fituar Sali Berisha, Edi Rama dhe Tom Doshi.”– tha ai.
Kapllanaj bëri bujë pak ditë më parë me deklaratën që bëri në një studio televizive përpara zgjedhjeve të 6 marsit.
Ai tha se nëse Shkodrën e fitonte Berisha do të jepte dorëheqjen dhe do të largohej nga politika.
Në studio ishte edhe deputeti Belind Këlliçi i cili e këshillonte të mos bënte deklarata të tilla, pasi Shkodra ishte e fituar nga “Shtëpia e Lirisë”.
Por Kapllanaj nuk tërhiqej.