Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë sot mandatin e kryetarit të bashkisë, tre të parëve nga gjashtë fituesit e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit.
Kështu në mbledhjen e sotme, u mandatuan: Rahim Spahiu në Dibër, Blerim Sheraj në Vorës dhe Edison Memolla në Rrogozhinë. Të tre nga Partia Socialiste.
Ndërkohë për tre kandidatët e tjerë, vazhdon verifikimi i tabelave të rezultateve.
Bashkia e Vorës – Fiton PS
Partia Socialiste ka arritur të fitojë bashkinë e Vorës në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
Duke qenë se në Vorë u përdor numërimi dhe votimi elektronik, rezultati doli pak orë pas mbylljes së procesit duke konfirmuar fitoren e thellë të kandidatit socialist Blerima Shera me 8431 vota nga 11 mijë e 96 votues në total.
Në vend të dytë u rendit kandidati i koalicionit Shtëpia e Lirisë Lulzim Vrana me 2 956 vota ndërsa kandidati i PD-së, Ymer Marku mori 764 vota.
Bashkia e Rrogozhinës – Fiton PS
Edison Memolla i Partisë Socialiste do të jetë kryetari i ri i Bashkisë, ai ka marrë besimin e 5438 qytetarëve të Rrogozhinës, ose 60.73%.
Në vend të dytë qëndron kandidati i Partisë Demokratike Ferdinand Saraçi me 1966 vota, dhe i treti Hekuran Xhani i “Shtëpisë së Lirisë” së Sali Berishës me 1550 vota. Kjo është e vetmja bashki ku kandidati i Lulzim Bashës ka fituar më shumë vota se kandidati i Sali Berishës.
Bashkia e Dibrës – Fiton PS
Partia Socialiste ka fituar edhe bashkinë e Dibrës. Kandidati socialist Rahim Spahiu është zgjedhur kryetar bashkie me 13 995 vota ose 60.82% të tyre. I dyti renditet kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” Premtim Kryemadhi me 19.46% ose 4 478 vota. Ndërsa kandidati i PD-së Luan Haka marrë 4 437 vota, ose 19.28%.
Kujtojmë se në Dibër kishte 4 kandidatë, pasi në garë merrte pjesë edhe kandidati i Partisë Lëvizja e Re- LRE, Dritan Torba, i cili ka fituar 99 vota, ose 0.43%.
Një nga kutitë në Dibër është lënë e pa numëruar pasi është e konstatuar se ka qenë e thyer.