Nga Klodian Gradeci
Para pak ditësh, ngrita shqetësimin se qeveria ishte shumë e vonuar në hapat që duhet të kishte ndërmarrë, për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend.
Frika, se jemi në prag të një situate të pandodhur më parë, u përforcua sot, me panikun që u servir nga ata që kanë përgjegjësinë për t’i garantuar shqiptarëve furnizimin me energji.
Paralajmërimi për masat kufizuese që na presin, tregojnë se nuk kemi vizionin e duhur në këtë sektor kritik dhe nuk kemi menduar kurrë për alternativat dhe kapacitetet e mjaftueshmerisë të sigurisë të furnizimit me energji.
Sot, nga të dhëna të sigurta rezulton se, rezerva e kaskadës të Drinit është 0.387 GWh. Nevojat ditore të Shqipërisë janë 26400 MW/h dhe nga kjo sasi, kaskada e Drinit siguron 17000 MW/h në ditë. Pra, e thënë thjesht dhe pa panik, ne kemi rreth 22 ditë energji rezervë në këtë kaskadë.
Nëse Zoti nuk është dashamirës me Shqipërinë dhe të rrisë prurjet, rrezikojmë që për pak ditë të mbërrijmë në pikën e vdekjes tek niveli 254m, në hidrocentralin e Fierzës. Niveli aktual është 265m dhe prurjet në Fierze janë 113m³/s, ndërsa në Vaun e Dejës janë 2m³/s, njësoj sa në lumin e Lanës në Tiranë.
Burimet e energjisë nëpërmjet importit përveç çmimit që varion nga 400-580 Euro në bursat HUPX dhe IBEX, nuk ofrojnë volume të disponueshme që mund të tregtohen në Shqipëri.
Edhe disa projekte fotovolataike të miratuara kohë më parë në Karavasta dhe Spitallë me kapacitet instalimi 140MW/h dhe 100MW/h, janë të parealizueshme pasi kushtet financiare për tarifat e rëna dakord janë 10 herë më pak se çmimi që shitet energjia në bursë.
Nëse edhe për lëndën djegëse fosile jepet si alternative ecja në këmbë, atëherë as rikthimi i hidhur i viteve 2000 si dikur tek gjeneratorët e ‘Myslym Shyrit’ nuk janë zgjidhje.
Është e vërtetë që pasojat e konfliktit Rusi-Ukrainë kanë dëmtuar rënde sigurinë e furnizimit me energji në gjithë Evropën. Është e vërtetë që Rusia është prodhuesi i dytë në botë i naftës, i pari në prodhimin e gazit dhe i katërti në prodhimin e uranit dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet e rritura shumëfish të energjisë në Evropë krahasuar me ato të para disa muajve.
Pyetja më e natyrshme që lind sot, është se çfarë ndodh nëse konflikti që nuk varet nga Shqipëria zgjat apo zgjerohet. Nëse ne kemi zgjidhje vetëm shiun dhe ai vjen me pakicë, si i behet? Nëse do të duhet të ballafaqohemi me ndërprerje energjie, a di dikush të thotë deri kur?
Po sikur drejtuesit që e kanë detyrë të fushës së tyre të përgjegjësisë të mendonin të kthenin sytë nga dielli dhe të orientonin konsumatorin rural dhe atë industrial në instalimin e paneleve diellore të prodhimit të energjisë nëpërmjet kreditimeve shtetërore?
Shqipëria ka mesatarisht 2500 orë diell në vit dhe konsumatori universal mund të instalojë kapacitete prodhuese për nevojat e veta me rreth 5kW/h, kostoja e të cilës do të shlyhej me vlerën e tarifës që ky konsumator do i paguante Furnizuesit të Shërbimit Universal në 5 vite.
Teknikisht, instalimi do ishte i mundur në shumë pak kohë, sepse ndërkohë ju të fushës se përgjegjësisë, “keni miratuar ligjin Nr. 7/2017”, “udhëzimin Nr3 datë 20.06.2019”, “keni miratuar objektivin për energjinë nga burimet e rinovueshme të energjisë në konsumin përfundimtar bruto të energjisë të jetë 38% deri në vitin 2020”, “keni miratuar të gjitha aktet nënligjore”, “keni miratuar të gjitha masat për arritjen e objektivave kombëtare për energjinë elektrike sipas Planit Kombëtar të Veprimit”.
Thënë e gjithë kjo, do zoti bie shi, nuk bën shumë vapë në verë se sa për këta të bllokut të lindjes, jemi në listën e armiqve.