Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka reaguar lidhur me rritjen e çmimeve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ajo i bën thirrje qeverisë që të anulojë koncesionin e Inceneratorit të Tiranës për të përballuar këtë rritje të çmimeve të naftës e produkteve të tjera.
“Anulloni koncesionin e inceneratorit të Tiranës dhe subvenciononi me ato para familjet, fermerët, bizneset shqiptare, për të përballuar shtrenjtimin e naftës, energjisë dhe çmimeve!
Është fakt se ky koncesion 30 vjeçar është mundësuar nga Erion Veliaj, i cili ka shpërdoruar detyrën duke e aprovuar atë pa vendim këshilli bashkiak, siç e parashikon ligji.
Ky koncesion 30 vjeçar i lidhur për të vjedhur qytetarët, i ka mundësuar ITS së Klodian Zotos të realizojë deri më sot një evazion fiskal 25 milionë dollarë.”- shkruan Kryemadhi.
Në reagimin e saj, zonja Kryemadhi shprehet se ky incenerator i ka çuar paratë e qytetarëve në kompani fantazëm ndërsa i bën thirrje SPAK-ut që të veprojë sa më shpejt në hetimin e kësaj afere.
“Ky koncesion i mundësuar nga Erion Veliaj, i ka çuar paratë e qytetarëve për kompani fantazëm, për shpenzime absurde si konsulenca të vetvetes dhe udhëtime luksoze në mesin e pandemisë.
Këto janë para të shqiptarëve!
Sot, kryeministri e qeveria është nisur drejt Dubait me Charter, pronarët e inceneratorëve mund të jenë duke bërë plazh në Maldive, ndërsa shqiptarët e vjedhur prej tyre, në orën 17:00 do të jenë në protestë para kryeministrisë!
Unë zgjedh të jem me qytetarët dhe është koha që të gjithë të jemi me Shqipërinë.
Kjo pritet edhe nga SPAK, i cili urohet të veprojë sa më shpejt, ndryshe nga rasti i Elbasanit, e të mos presë 30 vjet, derisa kompania t’i ketë marrë të gjitha pagesat.”- shkruan Kryemadhi.