Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku ka folur në lidhje me rritjen e çmimeve të naftës dhe produkteve të tjera në vend.
Para gazetarëve, ai bëri të ditur tri kërkesa të Komisionit të Rithemelimit drejtuar qeverisë shqiptare për të kaluar këtë krizë.
Po ashtu ai foli lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 6 Marsit, bëri komente për kryedemokratin Lulzim Basha, dha mesazhe për ambasadoren e SHBA-ve, Yuri Kim, ndërsa ftoi demokratët e zhgënjyar nga Basha që t’i bashkohen për reformimin e PD-së.
Tri kërkesat për krizën e rritjes së çmimeve
Berisha bëri tre propozime, për tejkalimin e krizës së rritjes së çmimeve të karburanteve.
“Në këto kushte, Partia Demokratike kërkon me urgjencë heqjen e plotë të TVSH-së nga nafta, heqjen e plotë të TVSH-së të energjisë elektrike.
Së dyti, PD kërkon rimbursim apo një bonus për të gjitha familjet në nevojë, shtesë që të përballojë krizën energjetike.
Së treti kërkon heqjen e taksës së qarkullimit prej 270 lekë dhe me këto lëvizje çmimet e naftës duhet të zbresin në nivelet e vendeve përrreth.”– u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri shtoi se nëse “ndërhyrja direkt në tregun e karburanteve mbetet si masa e fundit që nuk mund të përjashtohet për shkak të luftës.”
“Zgjedhjet e 6 Marsit zbuluan opozitën e vërtetë”
Ish-kryeministri foli sot edhe për rezultatin e zgjedhjeve lokale të 6 Marsit, duke thënë se zbuluan se kush është opozita e vërtetë.
“Zgjedhjet e 6 marsit treguan në dritën e diellit para shqiptarëve se ‘Shtëpia e Lirisë’ ku PD ka rolin kryesor, përbën opozitën e vërtetë shqiptare. Më 6 mars, 70 përqind e popullit opozitar votoi për Shtëpinë e Lirisë, pra për Partinë e vërtetë Demokratike.”– tha Berisha.
Mesazhi për ambasadoren Kim
Gjatë konferencës për mediet, Berisha kishte edhe një mesazh për ambasadoren e SHBA-ve Yuri Kim, për të cilën tha se ndërhyri në mënyrë antidemokratike dhe brutale në fushatë.
“6 marsi faktoi një të vërtetë: rikthimi i Sali Berishës, rikthimi me një mbështetje prej 31 përqind të elektoratit shqiptar.
Unë kam bërë fushatën më intensive që është bërë në fushatë elektorale. U detyrova ta bëj këtë, pasi ky ishte personalizim në rrafshin e përgjithshëm. Por meqenëse Edi Rama mori me arbitraritet logon dhe ia dha kallpit të tij, dhe meqenëse zonja guvernatore i lejoi vetes të ndërhyjë në mënyrë antidemokratike dhe brutale në fushatë kundër Sali Berishës, unë do u tregoja zgjedhësve që unë jam Sali Berisha. Ky që i kanë marrë logon dhe ky që thotë zonja guvernatore.”- tha Berisha.
Gara për kreun e PD-së
I pyetur nëse do të garojë për kreun e PD-së, Berisha e konfirmoi këtë.
Ai tha se “Të gjitha këto i them këtu se është jashtë çdo lloj imagjinate që unë të devijoj nga ky kurs, nga vendimi im i shpallur para demokratëve që do garoj për kryetar të PD, por duke garantuar që çdo person që kërkon të hyjë në garë për kushte të barabarta. Duke garantuar demokratët se do pranoj rezultatin e tyre pa asnjë koment.”
Diagnoza për Bashën
I pyetur se çfarë diagnoze i jep Lulzim Bashës, si mjek, meqë ai nuk pranon të japë dorëheqjen, Berisha u shpreh se: “Nuk ka lidhje as me ndonjë sëmundje zemre, as ndonjë proces psikik, ka lidhje thjesht me të qenit peng. Pengu nuk e kontrollon dot veten”.
Dorëheqja e Grida Dumës nga posti i nënkryetares
Berisha komentoi dorëheqjen e Grida Dumës si nënkryetare e Partisë Demokratike, duke thënë se e mirëpret atë dhe gjithë demokratët e tjerë që t’i bashkohen.
“Mirëpres e vlerësoj çdo deklaratë të deputetëve, mirëpres bashkimin e tyre me grupin e deputetëve të Komisionit të Rithemelimit, dhe i garantoj se ky bashkim ka në bazë vlerësimin e palëkundur të kontributeve të gjithsecilit në PD. Këtë Sali Berisha e ka afirmuar disa herë. Përndryshe, Komisioni i Rithemelimit është i përkohshëm, i zgjedhur në një Kuvend dhe në Kuvendin e ardhshëm nuk do të ekzistojë. Secili do ketë të drejtë të kandidojë për organet e PD-së, me kushtin e vetëm që të pranojë votën e lirë të demokratëve shqiptarë. Basha nuk është kryetar i PD-së, por i Edi Ramës, i bunkerit dhe i askujt tjetër.”– tha Berisha.
Nesër mblidhet Komisioni i Rithemelimit
Ditën e enjte ish-kryeministri zbuloi se do të ketë një mbledhje të Komisoionit të Rithemelimit të PD-së, ku do të bëhet edhe një bilanc.
“Nesër do mblidhet Komisioni i Rithemelimit të PD-së për të shqyrtuar të gjithë ecurinë e procesit, por edhe për të marrë vendime lidhur me datën 22 mars.
Nuk mund të shprehem paraprakisht se cili do jetë vendimi, por ajo që nuk mund t’ju fsheh është se gjatë këtyre 5 javëve të gjitha forcat e organit drejtues të PD-së, jo vetëm qendror por edhe të rretheve kanë qenë të përqendruar në fushatë elektorale në kushtet më të pabarabarta. Do bëhet një bilanc në ç’stad është ecuria në të gjitha degët e tjera, pasi në këto degë, procesi u ndërpre dhe do merret vendimi që do shpallet para shqiptarëve.”- u shpreh ai.
“Nuk do ketë parti të re”
Berisha theksoi se nuk do ketë parti të re dhe se kjo është opozita e vërtetë.
“Nuk do të ketë parti të re. Kjo është PD-ja, opozita e vërtetë. nuk mund të marrë peng pluralizmin politik që paraqet standardet më të veçanta në historinë e Shqipërisë. Në fakt atë e mban peng Edi Rama sepse nuk besoj se ai do shkonte vetë kaq poshtë.”- tha Berisha./Hashtag.al