Vendosni fjalën kyçe....

Pentagoni hedh poshtë transferimin e avionëve të Polonisë në Ukrainë


Pentagoni hodhi poshtë zyrtarisht idenë e transferimit të avionëve MIG-26 të Polonisë në Ukrainë, duke thënë se një lëvizje e tillë do të përbënte një “rrezik të lartë”.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby e bëri të ditur qëndrimin në një konferencë për shtyp duke shtuar se edhe zbulimi amerikane ka paralajmëruar kundër transferimit, duke thënë se “mund të shihet si shkallëzues” nga Rusia.

Më herët, një zyrtar i lartë amerikan e mbrojtjes tha se nuk është e qartë se si do të realizohej nga ana logjistike futja e avionëve shtesë në “një hapësirë ajrore shumë të kontestuar”, duke iu referuar ofertës së Polonisë që avionët e saj MIG-29 të dërgoheshin në një bazë ajrore amerikane me qëllim që t’i jepeshin më pas Kievit.

Edhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha të mërkurën në konferencën e përditshme për shtyp se ka pikëpyetje logjistike lidhur me një mundësi të tillë.

“Si mund të futësh avionë në Ukrainë në një mënyrë që nuk është shkallëzuese?” tha ajo.

Zyrtari i mbrojtjes tha se ukrainasit po përdorin kapacitete të tjera me efektet shumë më të madh dhe se nuk ka ndonjë vendim përfundimtar për këtë çështje.

Të martën Polonia tha se ishte gati të dërgonte të gjithë avionët e saj MIG-29 në bazën ajrore Ramstein në Gjermani dhe t’i vendoste në dispozicion të Shteteve të Bashkuara, duke u kërkuar anëtarëve të tjerë të NATO-s të bënin të njëjtën gjë.

Sipas propozimit polak, SHBA do të furnizonte Poloninë me avionë amerikanë me “kapacitet të ngjashëm”.

Por Polonia nuk ia kishte parashtruar këtë ide administratës së presidentit Bidenit përpara se të dilte publikisht me të.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki tha të mërkurën se furnizimi me avionë luftarakë i Ukrainës duhet të bëhet bashkërisht nga vendet e NATO-s.

“Një vendim i tillë serioz si furnizimi me avionë duhet të ndërmerret unanimisht nga e gjithë aleanca e Atlantikut të Veriut,” tha kryeministri polak sot gjatë një konference për shtyp në Vjenë.

“Ne nuk ramë dakord të dërgonim avionë në mënyrë të njëanshme, sepse duhet të jetë vendimi i të gjithë NATO-s,” shtoi ai.

Zonja Psaki tha se për këtë çështje po zhvillohen bisedime në nivelin ushtarak me Poloninë, duke shtuar se nuk besonte se kjo do të ishte ndër temat kryesore gjatë vizitës së nënpresidentes Kamala Harris në Poloni dhe Rumani këtë javë.

Por fakti që çështja e avionëve luftarakë për Ukraninën paraqet një rast të rrallë mospërputhjesh në përpjekjen kryesisht të bashkuar nga aleatët e NATO-s për të ndihmuar Ukrainën pa u përfshirë në një luftë më të gjerë me Rusinë, nënkupton që zonja Harris gjen një mjedis disi të ndarë.

“Ka shumë diskutime që duhen zhvilluar me polakët dhe më së miri bisedat duhen zhvilluar ballë për ballë”, thotë Daniel Fried, i cili ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Poloni nën administratën e Presidentit Bill Clinton dhe ka qënë këshilltar i lartë gjatë administatave të Presidentit George W. Bush dhe Presidentit Barack Obama.

Megjithatë pavarësisht nga qëndrimet e ndryshme për këtë çështje, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se lidhjet e Shteteve të Bashkuara me aleatin e NATO-s, Poloninë, mbeten të forta.

“Ne kemi një marrëdhënie të fortë dhe të qëndrueshme me Poloninë,” u tha gazetarëve zonja Psaki.