Shtetet e Bashkuara në fakt po bëjnë një luftë ekonomike me Rusinë, kështu është shprehur zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov.
Ai po komentonte deklaratën e e Zëvendës Sekretares së Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland se nga këndvështrimi i Uashingtonit, rezultati i krizës në Ukrainë është gjoja “humbja strategjike e Putinit.”
Siç shkruan TASS, Peskov tha: “Sigurisht, ata i shpallën luftë ekonomike Rusisë dhe po e bëjnë këtë luftë. Po, de facto janë.”
Duke iu përgjigjur pyetjes se cilat janë mundësitë që Moska të mos humbasë në këtë luftë, duke qenë se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të përfshijnë të gjithë botën në presionin e sanksioneve ndaj Rusisë, Peskov tha se duhet “të bëjmë atë që u përshtatet më së miri interesave tona”.
Megjithatë ai nuk specifikoi se në cilat fusha Rusia mund të vendosë sanksione hakmarrëse. “Unë do ta lë pyetjen tuaj pa përgjigje. Jo, nuk mund të jap ende detaje.”- tha ai.
Sipas Peskov, situata në tregjet botërore të energjisë po zhvillohet në mënyrë të turbullt dhe nuk dihet “në çfarë shkalle turbulence do të arrijë”.