Platforma e këmbimit të kriptomonedhave Coinbase ka njoftuar se ka bllokuar mijëra llogari të lidhura me rusët. Faqja është zotuar të mbështesë sanksionet e vendosura nga Perëndimi ndaj Rusisë.
“Sot, Coinbase bllokon mbi 25,000 adresa që lidhen me individë ose subjekte ruse që besojmë se janë të përfshirë në aktivitet të paligjshëm, shumë prej të cilave i kemi identifikuar përmes hetimeve tona proaktive”, njoftoi kompania në një deklaratë të hënën.
Ndërsa platforma nuk specifikoi llojin e aktivitetit të ndaluar në të cilin dyshohet se ishin përfshirë llogaritë, ajo vuri në dukje se adresat e sanksionuara tashmë u ishin dorëzuar autoriteteve amerikane.
Coinbase më tej pretendoi se sanksionet e Perëndimit ‘luajnë një rol jetik në promovimin e sigurisë kombëtare dhe frenimin e agresionit të paligjshëm’, dhe tha se kompania ‘mbështet plotësisht këto përpjekje nga autoritetet qeveritare’.
Shefi ekzekutiv i Coinbase, Brian Armstrong njoftoi javën e kaluar se kompania e tij ishte në përputhje me sanksionet kundër Rusisë duke bllokuar llogaritë e qytetarëve rusë, të cilët janë klientë të disa bankave të mëdha ruse që u goditën nga sanksionet.