Serbia do të ndalojë eksportet e vajit, misrit, grurit dhe miellit duke filluar nga e enjte, si një mënyrë për të siguruar çmime të qëndrueshme si për vendin ashtu edhe për rajonin në rast se Rusia ndalon eksportet e grurit dhe misrit, ka deklaruar presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
“Në dy ditët e fundit, eksportet e vajrave bimore u rritën me 109% krahasuar me nivelin mesatar, kështu që ne duhej të reagonim”, tha Vuçiç në një intervistë për B92.
Në fund të janarit, qeveria zgjati me 90 ditë ngrirjen e çmimeve të sheqerit, miellit të grurit të llojeve T-400 dhe T-500, vajit të lulediellit, mishit të derrit dhe qumështit me 2.8% yndyrë në nivelet e tyre të 15 nëntorit, në një përpjekje për të zbutur ndikimi i inflacionit në kostot e jetesës.
Sipas vlerësimeve të Zita Srbije, shoqata e prodhuesve serbë të drithërave, në vitin 2021 vendi parashikonte të eksportonte 1.8 milionë ton grurë dhe 1.6 milionë ton misër.
Sipas të dhënave institutit të statistikave serbe, vitin e kaluar janë korrur në Serbi 3.54 milion ton grurë dhe 6.24 milion ton misër.
Vuçiç tha se Serbia do të përballet me probleme serioze nëse Bashkimi Europian ndalon importin e karburanteve nga Rusia.
“Ne jemi duke u përballur me një problem nëse BE-ja ndalon importin e të gjitha karburanteve, sepse nuk kemi nga ta marrim”.
Ai tha se Industria Serbe e Naftës (NIS) po kërkon nga vendet e treta për naftë.
“Ne po kërkojmë të shohim se ku mund të marrim naftë dhe gaz pasi NIS po kërkon nga vendet e treta për importe. Qeveria ka hartuar një dokument për të përjashtuar disa mallra nga taksat doganore në vitin 2022 dhe që do të përfshijë, nëse është e nevojshme, naftën e vendeve të treta”.
Nga Serbia u importua 36% e drithërave në 2021
Serbia është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë për importin e drithërave.
Në vitin 2021, sipas të dhënave të INSTAT, në Shqipëri u importuan 326 milionë kg drithëra, nga të cilat 36% erdhën nga Serbia dhe 46% nga Rusia.
Importuesit e drithërave dhe përpunuesit e miellit pohuan se që nga fillimi i luftës, importet e drithërave nga Rusia u diversifikuan, teksa gjetën tregje të tjera në Europë (Bullgari, Francë, Rumani, Itali) dhe në Amerikën Latine.
Për importet e grupmallit “Vajra dhe dhjamra kafshore apo vegjetale”, nga Serbia në 2021 erdhi rreth 6% e totalit të importeve.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor