Një seri sulmesh janë shënuar në vende të ndryshme ndaj agjencive të ndryshme ruse.
Në Vankuver të Kanadasë, një qendër e komunitetit rus ëstë sulmuar nga aktivistë pro-ukrainas të cilët kanë lyer dyert dhe muret e godinës me ngjyrat verdheblu që simbolizojnë flamurin e Ukrainës.
Në kryeqytetin e Francës, Paris, një bombë Molotov është hedhur ndaj agjencisë së bashkëpunimit rus. Një kamion është filmuar duke goditur dyert e ambasadës ruse në Dublin, Irlandë.
Ngjarjet e fundit vijnë teksa Rusia ka nisur një sulm ndaj Ukrainës prej më shumë se dy javësh. Rusia ka pretenduar se sulmi ka të bëjë me demilitarizimin e denazifikimin e vendit ndërsa Kievi, SHBA-ja e BE-ja e kanë quajtur sulmin të paprovokuar dhe kanë vendosur sanksione të shumta ndaj Moskës.