Vendosni fjalën kyçe....

U kapet kanabis, pranga dy personave në Lezhë, në kërkim një i tretë


Dy persona janë arrestuar në Lezhë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Personat në fjalë akuzohen për shitje lëndësh narkotike.

Gjatë kontrollit të kryer nga policia në operacionin e koduar ‘Adriatiku’ janë sekuestruar 31 kg kanabis, dy mjete, dy celularë e targa mjetesh.

Në pranga kanë rënë 33-vjeçari R.M. e 44-vjeçari D.L. ndërsa në kërkim është shpallur 24-vjeçari S.K.

Njoftimi

“Lezhë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Adriatiku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca Operacionale në DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin.

Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër. 

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 31 kilogramë kanabis sativa, 2 automjete, 2 aparate celulare dhe targa automjetesh.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po transportonin lëndë narkotike nga Kruja në drejtim të Fushë Mamurrasit, u organizua dhe  finalizua operacioni policor i koduar “Adriatiku”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve:

R.M., 33 vjeç, banues në Fushë Mamurras, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe D. L., 44 vjeç, banues në Krujë.

Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasit S. K., 24 vjeç, banues në Krujë.

Këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë operacionit, në oborrin e banesës së shtetasit R. M., i cili do të blinte lëndën narkotike që e kishin transportuar nga Kruja, shtetasit D. L. dhe S. K. Ky i fundit ka mundur të largohet në momentin e ndërhyrjes së Policisë.

Nga veprimet  e para hetimore ka rezultuar se shtetasi R. M. do ta shiste lëndën narkotike në doza, në qarkun e Lezhës.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitje të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.”