Ministri i jashtëm i Ukrainës i ka bërë thirrje Rusisë të bie dakord për një armëpushim për të lejuar riparimet urgjente të e ish-uzinës bërthamore në Çernobil, vendi i aksidentit më të keq bërthamor në botë të ndodhur në vitin 1986.
Siç shkruan BBC, Dmytro Kuleba tha se gjeneratorët rezervë me naftë kanë një kapacitet 48-orësh për të fuqizuar centralin.
“Pas kësaj, sistemet e ftohjes së objektit të depozitimit të karburantit bërthamor të harxhuar do të ndalojnë, duke bërë që rrjedhjet e rrezatimit të jenë të pashmangshme.”– shkroi ai në Twitter.
Komentet e tij pasojnë një ndërhyrje nga kompania shtetërore bërthamore, Energoatom, e cila tha se një rrjedhje mund të bëjë që një “re radioaktive e bartur nga era” të përhapur në rajone të tjera të Ukrainës, Bjellorusisë, Rusisë dhe më tej në Evropë.
Por në një deklaratë të publikuar të mërkurën, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) u përpoq të qetësonte frikën e publikut dhe medieve duke thënë se nuk ka një rrezik të tillë.