Deputetja demokrate Grida Duma ka kërkuar sot dorëheqjen e kreut të PD-së Lulzim Basha.
Në një deklaratë për media, Duma tha se Bashës i janë dhënë të gjitha mundësitë ndërsa e cilësoi dorëheqjen e mundshme të tij si një akt fisnik.
Sipas ish-nënkryetares së selisë blu, mbajtja e kreut të partisë nga Basha ndërkohë që shumica i kërkon largimin do të thotë se ai e bën këtë gjë vetëm për përfitimin e tij personal.
“Duhet të dorëhiqet, do të bënte një akt fisnik madje. I janë dhënë të gjitha mundësitë, që me betejën dhe mbështetjen e të gjithëve ne, do t’i bënte demokratët që të ringriheshin. 6 Marsi nuk e tregoi këtë. Sa kohë që jemi në politikë, duke nisur nga secili nga ne, nëse unë thuajse nuk kam asnjë përgjegjësi dhe jap dorëheqjen, kur shumica të ka kërkuar largimin, dhe ti vazhdon e mban kreun e partisë, do të thotë që kjo është përfitimi i vetëm i tij.” – tha Duma.
Ajo hodhi poshtë mundësinë e kandidimit për kreun e partisë.