Vendosni fjalën kyçe....

Gazment Bardhi: Procesi i reflektimit duhet të jetë serioz, të largohesh është gjëja më e thjeshtë


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi ka folur në një prononcim për mediat se procesi i analizës dhe reflektimit në PD është një proces serioz.

Duke iu referuar dorëheqjeve të shumta në ditët që pasuan 6 Marsin nga zyrtarë të shumtë të PD-së, Bardhi tha se kjo është gjëja më e thjeshtë për t’u bërë. Por sipas tij nuk është kjo ajo që demokratët kanë nevojë.

“E kam thënë që në ditën e parë pas daljes së rezultatit të 6 marsit, s’mund të dalësh në konkluzione për përgjegjësi pa një proces reflektimi. Secili që del në këto konkluzione pa arritur reflektimin, nënkupton se nuk vë të parin interesin e demokratëve. Kam zgjedhur të shprehem në institucione. Do të shprehem kur të mblidhet kryesia e PD.

Këto ditë i kam shfrytëzuar për analizë, reflektim që qëndrimi që do të duhej të mbajë kryesia dhe institucionet e partisë, të jenë në shërbim të demokrateve dhe PD. Nëse e gjithë gjendja në të cilën ndodhet sot PD dhe biem dakord të gjithë demokratët, pavarësisht se ku jemi pozicionuar, është gjendje që e ka dëmtuar dhe po e dëmton PD. Për këtë arsye procesi i analizës dhe reflektimit duhet të jetë serioz, s’mund të jetë çështje karrigesh, por është çështje përgjegjësi në raport me demokratët.

Është e thjeshtë të largohemi nga pozicioni që kemi. Kjo është gjëja më e thjeshtë, mirëpo demokratët kanë nevojë jo vetëm për përgjegjësi të marra por edhe përgjegjshmëri në venndimmarrje. S’mund ta trajtosh PD-në si institucion kur në ditë të mia qëndron dhe në ditë të vështira e braktis atë.

Ky nuk ka qenë dhe nuk do jetë kurrë modeli im. Sikundër modeli im do jetë që nuk ka njerëz të pazëvendësueshëm. Por nuk mund ta thjeshtëzosh në një emër, në një karrige apo dy karrige, kjo është t’i ikësh përgjegjësisë.”- deklaroi Bardhi.