Një pacient që mori zemrën e një derri në një operacion eksperimental ka vdekur vetëm dy muaj më vonë, thotë spitali i tij.
David Bennett Sr, nga Maryland, ishte 57 vjeç. Në janar ai iu nënshtrua një operacioni novator – i pari i këtij lloji – pasi u konsiderua i papërshtatshëm për një transplant normal të zemrës. Për rreth dy muaj, zemra e një derri të modifikuar gjenetikisht e mbajti atë në jetë.
“Krijon pulsin, krijon presionin, është zemra e tij,” tha për The New York Times, pak pas operacionit, Dr Bartley Griffith, drejtor i programit të transplantit kardiak në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Maryland.
“Po funksionon dhe duket normale. Jemi të emocionuar, por nuk e dimë se çfarë do të na sjellë e nesërmja.”
Universiteti i Maryland nuk specifikoi shkakun e saktë të vdekjes së Bennett, por tha se gjendja e tij ishte përkeqësuar gjatë ditëve të fundit. Ai ka ndërruar jetë në qendrën mjekësore.
“Ne jemi të shkatërruar nga humbja e zotit Bennett,” tha Dr Bartley Griffith, i cili kreu operacionin, në një deklaratë. “Ai u tregua një pacient i guximshëm dhe fisnik që luftoi deri në fund.” – shtoi ai.
Djali i Bennett, David Bennett Jr, falënderoi spitalin që bëri gjithçka që mundi.
“Ne jemi mirënjohës për çdo moment novator, për çdo ëndërr të çmendur, për çdo natë pa gjumë që ka hyrë në këtë përpjekje historike,” shkroi më i riu Bennett.
“Ne gjithashtu shpresojmë që ajo që u mësua nga operacioni i tij do të sjellë përfitime për pacientët e ardhshëm dhe shpresojmë që një ditë t’i japë fund mungesës së organeve që kushton kaq shumë jetë çdo vit.”