SHBA paralajmëroi të mërkurën për mundësinë që Rusia të përdorë armë kimike ose biologjike në Ukrainë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara ‘nuk posedojnë armë të tilla askund’.
Në një seri postimesh, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Rusia pretendoi në mënyrë të rreme se SHBA ka laboratorë të armëve biologjike dhe objekte të zhvillimit të armëve kimike në Ukrainë, pretendime të cilat ajo tha se u bënë jehonë edhe nga zyrtarët kinezë.
“Kjo është absurde,” tha Psaki, duke shtuar se “Është lloji i operacionit dezinformues që kemi parë vazhdimisht nga rusët gjatë viteve të fundit në Ukrainë dhe në vende të tjera dhe një shembull i llojeve të preteksteve të rreme për të cilat ne kemi paralajmëruar se do shpikeshin nga rusët.”
“Tani që Rusia ka bërë këto pretendime të rreme dhe Kina në dukje e ka mbështetur këtë propagandë, ne të gjithë duhet të vëzhgojmë që Rusia të përdorë ndoshta armë kimike ose biologjike në Ukrainë, ose të krijojë një operacion të rremë duke i përdorur ato. Është një model i qartë.”, ka shkruar Psaki.
Paralajmërimi vjen si përgjigje ndaj pretendimeve të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, e cila tha se dokumentet sugjerojnë se ‘përbërësit e armëve biologjike po zhvillohen në Ukrainë’.
Duke folur në një konferencë javore në Moskë, Zakharova tha se Forcat e Armatosura Ruse futën në dorë prova të zhvillimit të përbërësve të armëve biologjike nga Ukraina nën drejtimin e SHBA në disa laboratorë biologjikë në Ukrainë.
Psaki tha se SHBA është në përputhje të plotë me detyrimet e saj sipas Konventës së Armëve Kimike dhe Konventës së Armëve Biologjike, duke shtuar se Uashingtoni ‘nuk zhvillon apo zotëron armë të tilla askund’.
Ajo akuzoi Rusinë se ka ‘një histori të gjatë dhe të mirëdokumentuar’ për përdorimin e armëve kimike, duke përmendur helmimin e rivalit politik të presidentit rus Vladimir Putin, Alexey Navalny.
Psaki përmendi gjithashtu luftën në Siri, duke akuzuar Moskën për përdorimin e armëve kimike për të mbështetur regjimin e Bashar al-Asad.
“Është Rusia ajo që ka mbajtur prej kohësh një program të armëve biologjike në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.”
“Kjo është e gjitha një dredhi e dukshme e Rusisë për të justifikuar sulmin e saj të mëtejshëm të paramenduar, të paprovokuar dhe të pajustifikuar ndaj Ukrainës”, shtoi ajo.