Vendosni fjalën kyçe....

Studentët shkodranë protestë kundër rritjes së çmimeve: Lufta nuk menaxhohet nga Dubai


Rritja e çmimeve ka ngritur në protestë edhe studentët në qytetin e Shkodrës.

Një nga studentët tha se për të shkuar në fakultetin në Shkodër, të rinjtë nga rrethinat e qarkut duhet të paguajnë më shumë për shkak të çmimeve të rritura të karburanteve dhe i kërkojnë qeverisë të ndërhyjë për uljen e tyre.

Një i ri thumboi kryeministrin Edi Rama duke thënë se “lufta nuk menaxhohet nga Dubai” duke iu referuar deklaratave të këtij të fundit se rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Dje është zhvilluar një protestë për rritjen e çmimeve ne jemi sot në emër të studentëve që vijnë nga Vau i Dejës, Bushatit, Koplikut që vijnë në fakultetin e Shkodrës rritja ka impakt të drejtpërdrejtë.

Nëse dje është nis me 2 mijë lek biletën sot duhet me pagu 3 mijë lekë. Nëse një i ri nga Dukagjini vajtje-ardhje te familja e vet për me ardh në Shkodër për çdo punë ka pagu 20 mijë lekë të vjetra sot paguan 30 e flitet që shkon dhe 40 mijë lekë.

Ne jemi të vetëdijshëm që një familje që trajtohet me një ndihmë ekonomike është e barasvlefshme me një biletë vajtje-ardhje të një individi në Dukagjin.

Sot në pamundësi për të shkuar në Tiranë dhe për të ardhur pasdite me protestën që bëhet në Tiranë, se studentët janë nga qytete e nga rrethina morëm iniciativë për të dhënë mesazh gjithë studentëve që ky është vetëm fillimi, se ne nuk vijmë në Shkodër për me ble bukë në këmbë e as me ble cigare në këmbë, por vijmë në Shkodër për t’u arsimuar e për të marrë dije.

Kjo është përtej politikës.

Nëse qeveria thotë luftë atëherë në luftë, politikanët nuk mund të largohen në Dubai duhet ta menaxhosh luftën se çmimi i naftës në Shqipëri është më i lartë se në Ukrainë sot.
Ne e dime se zyrtarisht është Ukraina në luftë, nuk është Shqipëria.

Çmimi i naftës nuk është për luftë, ne udhëtojmë me makina pasagjerësh.

Gjithçka e lidhur me çmimin e naftës nuk është luks, luks është të shëtisësh me makina luksoze me ‘Range Rover’ e t’u japësh këshilla qytetarëve.

Cili prej politikanëve shqiptarë shkon në Parlament me biçikletë, cili deputet nga Shkodra apo Vlora shkon në këmbë në parlament e kush përdor autobus?

Ata në realitet nuk e dinë se nuk i prek kjo gjë…”- tha një i ri protestues.