Vendosni fjalën kyçe....

Aktivistët kërkojnë para drejtorisë së Policisë lirimin e protestuesve të arrestuar: Nuk do lejojmë sulltanët ta “mjelin” këtë vend si të duan


Një grup aktivistësh dhe qytetarësh po protestojnë para drejtorisë së policisë së Tiranës, ku kërkojnë lirimin e të gjithë personave të arrestuar pas protestës së ditës së djeshme.

Kjo vjen pasi policia e Tiranës konfirmoi se ka arrestuar 23 protestues dhe ka proceduar penalisht 23 të tjerë.

Një prej protestuesve tha se në polici aktualisht ishin 36 protestues, mes tyre edhe gra.

“Një vajzë që akuzohej për një akuzë u la e lirë, tjetra për 4 akuza. Një prej vajzave kishte sharë shefin e policisë. Po ushtrohet dhunë psikologjike që ne të heqim dorë nga protesta. Të jenë të sigurt se ata të arrestuar nuk rrezikojnë asgjë. Janë 36 të arrestuar.”- tha protestuesi.

Pedagogu Ervin Goci, tha se protesta e nisur fillimisht në Tiranë ka marrë përmasa kombëtare. Ai komentoi edhe deklaratat e sotme të kryeministrit Edi Rama.

“Protesta e Tiranës, është thjesht protesta e Tiranës, por tani protesta ka marrë përmasa qytetare. Kjo është një protestë që ka të bëjë qartazi me një vendimmarrje politike.

Kryeministri del sot dhe thotë që do të bëjë shtetarin. Po deri dje pse nuk ndërhynte?

Ajo që pamë sot ishte një shfaqje e shëmtuar, këtu qeveria dhe privati funksionojnë si aksionerë, shto taksa, hiq taksa, ne nuk kemi transparencë se sa është fitimi i këtyre kompanive.

Ky hall nuk zgjidhet me emergjencë, ne duhet të kemi një plan ekonomik, jo vetëm për naftën, por për të gjitha çmimet, këta njerëz që dalin dhe protestojnë, këta janë shteti. Iu bëj thirrje që të bashkohemi, ne nuk jemi matrapazë, që të themi ma ul 100 lekë apo ma ul 200 lekë.”-deklaroi Goci.

Ai shtoi: “Nafta nuk është rritur as në Ukrainë, atje ku bjenë predha. S’do e lejojmë që këtë shtet ta marrë në dorë ai që e quan veten sulltan. Këta janë sulltanë që duan të dominojnë një copë tokë që e konsiderojnë dhe ta ‘mjelin’ si të duan.”