Një ditë pas protestave masive në disa qytete, Policia e Durrësit ka publikuar një njoftim zyrtar për numrin e qytetarëve të arrestuar në këtë qytet.
Kështu mësohet se dy protestues janë arrestuar ndërsa ka nisur procedimi penal për 50 qytetarë.
Dy personat e arrestuar, shtetasit me inicialet E. S., 21 vjeç dhe A. B., 33 vjeç, banues në Durrës akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim.
Policia ka edhe një apel për qytetarët të cilët i paralajmëron që të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve duke u kujtuar atyre se do të përballen me forcën e ligjit.
NJOFTIMI I POLICISË
Bënë thirrje për grumbullime, bllokuan rrugët dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë gjatë protestës së ditës së djeshme, arrestohen në flagrancë 2 shtetas, procedohen penalisht 50 shtetas të tjerë.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me protestën e zhvilluar në datën 10 mars 2022, bazuar në provat e grumbulluara, arrestuan për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
– E. S., 21 vjeç dhe A. B., 33 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu u proceduan penalisht 50 shtetas, pjesëmarrës në protestë.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protesës së datës 10 mars 2022.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë qytetarët që të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve, sepse do të përballen me forcën e ligjit.