Vendosni fjalën kyçe....

“Edhe nëse me arrestojnë do dal prapë në rrugë, ka shkuar ku s’mban më”- Nisin protesta në disa qytete të vendit


Kanë nisur protestat në disa qytete të vendit kundër rritjes së çmimit të karburanteve e çmimeve të ushqimeve. Qytetarë të shumtë janë mbledhur në Tiranë, Durrës, Berat, Shkodër, Lezhë, Mirditë e Laç. Një qytetar në Lezhë deklaroi se do dalë çdo ditë në protestë edhe nëse e arrestojnë.

“E di që do përfundoj në komisariat po do dal prapë nesër në protestë. Ata dinë vetëm të rrisin taksat nuk mendojnë për popullin, na ka ardhur në majë të hundës, nuk ka ku të shkojë më, rrit çmimet, rrit taksat.” – tha qytetari.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të lirojnë rrugët e të mos bllokojnë qarkullimin në të kundërt do përballen me ligjin.

Dy ditët e fundit ka pasur dhjetëra të shoqëruar nga policia në qytete të ndryshme të vendit. Protestat në vend vijnë mes rritjes së çmimit të karburantit dhe ushqimeve.

Kryeministri Rama ka deklaruar ditët e fundit se qeveria nuk e kontrollon dot çmimin e produkteve në vend.

Sipas kreut të qeverisë shkak për rritjen e çmimeve është rritja e çmimit të karburanteve dhe energjisë në bursë si dhe lufta në Ukrainë.

Sot Rama mblodhi bisnesmenë të ndryshëm duke u kërkuar që të mos spekulojnë për çmimet, në të kundërt do përballen me ligjin.