India tha se ka lëshuar aksidentalisht një raketë në Pakistan të mërkurën, duke fajësuar për incidentin një ‘mosfunksionim teknik’ gjatë mirëmbajtjes rutinë.
Delhi tha se ndihej i keqardhur dhe shprehu lehtësimin për faktin se raketa nuk vrau njeri. Ushtria e Pakistanit tha se një ‘objekt fluturues me shpejtësi të lartë’ ishte rrëzuar pranë qytetit lindor të Mian Channu ndërsa shtoi se trajektorja e fluturimit kishte rrezikuar fluturimet e pasagjerëve.
Të dy vendet kanë armë bërthamore.
Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes e Indisë tha: “Më 9 mars 2022, gjatë mirëmbajtjes rutinë, një mosfunksionim teknik çoi në shkrepjen aksidentale të një rakete. Qeveria e Indisë e ka marrë shumë seriozisht incidentin dhe ka urdhëruar një gjykatë të nivelit të lartë të merret me hetimin.”
Islamabad e paralajmëroi Delhin që ‘të jetë i vetëdijshëm për pasojat e pakëndshme të një pakujdesie të tillë’ dhe të shmangë përsëritjen e ngjarjes. Objekti ishte lëshuar nga Sirsa në shtetin Haryana, u tha në deklaratë.
Forcat ajrore të Pakistanit thanë se raketa udhëtoi me shpejtësi 3 Mach – tre herë më shumë se shpejtësia e zërit – në një lartësi prej 12,000 metrash dhe fluturoi për 124 km në hapësirën ajrore pakistaneze përpara se të rrëzohej.
“Rruga e fluturimit të këtij objekti rrezikoi shumë fluturime kombëtare dhe ndërkombëtare të pasagjerëve si në hapësirën ajrore të Indisë dhe Pakistanit si dhe jetën njerëzore dhe pronat e qytetarëve.” – tha të enjten zëdhënësi ushtarak pakistanez, Gjeneral-major Babar Iftikharon.
Të premten, Ministria e Jashtme e Pakistanit tha se kishte thirrur të ngarkuarin me punë të Indisë për t’u ankuar për incidentin.
Pakistani i kërkoi gjithashtu Indisë të ndajë me të gjetjet e hetimit për atë që ndodhi.