Vendosni fjalën kyçe....

Kongresi i Guatemalës ndalon martesat mes personave të të njëjtit seks


Kongresi i Guatemalës ka votuar në favor të një ligji që ndalon martesat mes personave të të njëjtit seks.

Siç shkruan BBC, ligji i ri do të ndalojë gjithashtu mësimin e diversitetit seksual në shkolla dhe do të rrisë dënimet me burg për gratë që kërkojnë abort.

Aborti është i ndaluar në Guatemalë, përveç rasteve kur jeta e gruas është në rrezik.

Për të hyrë në fuqi, ligji duhet ende të nënshkruhet nga presidenti i Guatemalës, Alejandro Giammattei. “Ligji për mbrojtjen e jetës dhe familjes” u miratua me një shumicë dërrmuese në Kongresin e udhëhequr nga konservatorët. Vetëm tetë ligjvënës nga 160 votuan kundër.

Nuk është ende e qartë nëse presidenti Giammattei, një konservator, do ta nënshkruajë atë, por shumë anëtarë të partisë së tij i dhanë mbështetjen e tyre. Sipas ligjit, gratë që “kanë nxitur abortin e tyre ose i kanë dhënë pëlqimin një personi tjetër për ta kryer atë” do të përballen me një minimum prej pesë vitesh burg, por dënimet mund të jenë shumë më të larta.

Nëse nënshkruhet nga presidenti, ai do të reformojë Kodin Civil të Guatemalës për të “ndaluar shprehimisht martesat mes të njëjtit seks”.

Ligji parashikon gjithashtu që shkollat ​​të ndalohen t’u mësojnë nxënësve se “çdo gjë tjetër përveç heteroseksualitetit është normale”.

Një nga ligjvënëset që mbështeti projektligjin, Patricia Sandoval, tha se “nën konceptin e familjes ne kuptojmë bashkimin midis një burri dhe një gruaje”. Avokati i popullit për të drejtat e njeriut i Guatemalës, Jordán Rodas, e quajti atë një shkelje të të drejtave të njeriut dhe një “pengesë të lirisë” dhe u zotua ta kundërshtojë atë.