Vendosni fjalën kyçe....

Mbi gërmadhat e sotme duhet të lindë PD-ja e re (Dhe s’kanë shumë kohë)


Nga Edmond Arizaj

Trishtimi për Partinë Demokratike vjen me pyetjen: Po më pas? Nëse kjo parti, shpreson të ngjallet e fitojë sërish me Sali Berishën, është për të ardhur keq. Berisha vetë mund të luajë Gjergj Elez Alinë që bën mundimin e fundit, përballë bajlozit, por PD e gjithë, nuk mund të jetë motra që vetëm qan duke rënkuar: Ah që s’po çohesh nga shtrati se do më përdhunojë bajlozi.

Kjo parti duhet të marrë fatin e saj në dorë, sepse mjaft e ka lënë të vendoset pas dyerve të blinduara nga pak njerëz. Lulzim Basha është një gafë e tmerrshme që PD-së i kushtoi vite, nerva, humbje, poshtërim, njerëz, të zgjedhur që i donte kryetari dhe jo elektorati. Por Lulzim Basha nuk mbiu rastësisht në PD. Sali Berisha ka pjesën e tij të luanit në humbjet dhe poshtërimet e PD-së. Ndaj dhe nuk mund të bëjë mënjanë për përgjegjësitë.

E gjithë PD-ja, e gjitha, edhe ata që ikin në betejën e parë, edhe qëndrestarët, duhet të kërkojnë rithemelimin me lënien e Berishës e të Lulit në muze, njëri si sukses e tjetri si dështim, ashtu si konsiderohen mes shumicës së demokratëve.

Kjo do i japë mundësinë PD-së të nxjerrë figura të reja, me ide të reja, me vizione të reja, me lidhje të reja, me kapacitete të reja, për kohët e reja e të vështira që po vijnë përpara. Me Berishën, fitorja është krejt e lehtë përballë Lulit, po Luli nuk është për t’u mundur. Për t’u mundur është Rama. Për krahasim, Luli ka humbur çdo betejë zgjedhore, Rama nuk ka humbur asnjë. Dhe sipas meje, Ramën nuk e mund dot askush nga këta që ai i njeh.

Mos harroni, Rama është po aq i patundur (6 Marsi ishte një tregues) edhe në krizën e tretë rradhazi të qeverisjes së tij: Tërmet, pandemi, çmime lufte. Dhe për çudi del më i fortë nga krizat. Ndërsa sot në PD hedhin bast se nga cili krah do kalojë Gjekmarkaj në fund të javës, Rama është pjesë e tryezave ku diskutohen fatet e Botës. Tani bëjini vetë llogaritë si PD, si opozitë, si e djathtë. Por përfundimi, sado i dhimbshëm e i lodhshëm është se në gërmadhat e kësaj PD-je, duhet të rilindë një PD e re e djathtë. Kohën e kanë të shtrënguar.