Mëngjesin e kësaj të premteje banorët e Lushnjës e të Divjakës e kanë nisur me protesta kundër rritjes së çmimit të naftës, por dhe të plehrave kimikë dhe produkteve të tjera që përdorin në bujqësi.
Ata kanë bllokuar për pak minuta autostradën Lushnjë-Fier tek vendi i quajtur “Pushimi i Shoferit”, ku kanë shkuar forca të shumta policie.
Një nga protestuesit shprehet se nuk mund t’u hedhë bimëve bujqësore plehra kimikë, pasi nuk mund të përballojë koston.
“Plehrat janë trefishuar. Ureja sot është 13.00 lekë, ka qenë 4.800. Dabi dhe nitrati që duhen për të plehëruar tani tokat. Nuk i plehëron dot. Çdo gjë është rritur, nuk është vetëm nafta.”- tha protestuesi.
Një tjetër protestues u shpreh: “Po protestojmë për të drejtat tona, ne po dalim me humbje, jemi të mbaruar. Mbyllim ditën me humbje, katastrofë, do ikim nga Shqipëria.”
Kujtojmë se qytetarët e Lushnjës protestuan edhe ditën e djeshme ku patën dhe një përplasje me forcat e policisë.
Pas protestës u proceduan penalisht 7 persona për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” pasi në vendin e quajtur “Rotondo e Plugut” bllokuan aksin rrugor Fier-Rrogozhinë, duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve nga të dy senset e lëvizjes.