Mund të ketë nevojë për bisedime të drejtpërdrejta midis presidentit rus Putin dhe atij ukrainas Zelensky dhe shefi i Kremlinit është i gatshëm të marrë pjesë në negociata të tilla, por kjo do të kërkonte një përgatitje, tha ministri i Jashtëm, Lavrov.
“Kemi konfirmuar sot se presidenti Putin nuk po e kundërshton idenë e një takimi me Presidentin Zelensky”, tha Lavrov pas bisedimeve të vështira me ministrin e jashtëm Ukrainas Dmytro Kuleba në Antalia të Turqisë të enjten.
Ai tha se i kujtoi homologut të tij ukrainas se Putini dhe Rusia janë ‘gjithmonë të gatshëm të takohen nëse mund të arrijmë një vlerë të shtuar dhe ta zgjidhim problemin’. Megjithatë, Moska nuk sheh asnjë dobi në ‘takimin thjesht për hir të takimit’, vuri në dukje ministri.
Delegacionet nga Moska dhe Kievi kanë mbajtur tashmë tre raunde bisedimesh në Minsk që nga fillimi i konfliktit më 24 shkurt. Megjithatë, ato nuk kanë dhënë ende ndonjë rezultat domethënës.
Rusia ka kërkuar tani që Ukraina të shpallet zyrtarisht një vend neutral që nuk do t’i bashkohet kurrë bllokut ushtarak të NATO-s të udhëhequr nga SHBA. Kievi këmbëngul se ofensiva ruse ishte plotësisht e paprovokuar dhe ka mohuar pretendimet se po planifikonte të rimarrë të dy republikat me forcë.