Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim i fuqishëm në Zagreb, disa besojnë se u rrëzua një dron që vinte nga Ukraina (VIDEO)


Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar mbrëmë në Zagreb pasi një objekt ra nga qielli në një zonë të kryeqytetit të Kroacisë. Lajmi u konfirmua dhe nga Ministria e Brendshme e vendit.

Ministria shkroi në Twitter se “pas orës 23:00, Departamenti i Policisë së Zagrebit mori disa thirrje nga qytetarët se një shpërthim ishte ndjerë në zonën e Jarunit dhe një objekt ra në zonë para kësaj. Njësitë u dërguan urgjentisht tek vendi, i cili gjeti një krater në rrugën Jarunska… aty afër gjendeshin dy parashuta, kemi marrë edhe njoftime më herët për këtë”.

 

Nga incidenti fatmirësisht nuk ka të lënduar, por shpërthimi dëmtoi disa makina të parkuara aty pranë.

Ende është e paqartë se çfarë ka ndodhur, por disa thonë se ishte një aeroplan që u rrëzua dhe se prandaj u gjetën parashutat aty pranë, të tjerë thanë se ishte një raketë. Pas ekzaminimit nga afër të provave vizuale, The War Zone beson se ky ishte në të vërtetë një dron zbulues Tu-141 “Strizh” që duhet të ketë keqfunksionuar dhe ka kaluar në të gjithë Hungarinë dhe në Kroaci nga Ukraina. Fluturimi direkt nga kufiri i Ukrainës në Zagreb është gati 350 milje. Është raportuar se Ukraina ka vënë në punë dronët me shpejtësi të lartë të epokës sovjetike në ditët e fundit pas pushtimit rus të vendit. Ukraina është operatori i vetëm aktual i njohur i dronëve Tu-141.