Anija ‘Endurance’ e eksploruesit anglo-irlandez Ernest Shackleton është gjetur, 106 vjet pasi u mbyt në lindje të Antarktidës duke u përpjekur të arrinte në Polin e Jugut.
Një ekip arkeologësh detarë, teknikësh e ‘aventurierësh’ të quajtur Endurance22 raportoi se u gjet të mërkurën, pasi kishte kaluar mbi dy javë duke kërkuar zonën e mbuluar nga akulli duke përdorur drone nënujore.
“Ne kemi bërë histori polare me zbulimin e ‘Endurance’ dhe kemi përfunduar me sukses kërkimin më sfidues të anijeve të mbytura në botë’, tha drejtori i ekspeditës John Shears në një deklaratë të lëshuar nga ekspedita.
Anija 43 metra e gjatë prej druri me tre direkë u zbulua në gjendje jashtëzakonisht të pacenuar në fund të detit Weddell, ndërsa ekipi kontrolloi një zonë prej 150 milje katrorë afër vendit ku u mbyt në vitin 1915, duke rënë rreth 3 kilometra nën sipërfaqe në disa prej ujërat më të ftohta në planet. Këto kushte me gjasë e shpëtuan atë nga prishja që prek anijet që mbyten në ujërat më të ngrohta dhe më të rrahura nga udhëtimet, duke mbajtur larg organizmat drungrënës.
Drejtori i ekspeditës Mensun Bound, një veteran i misioneve të tjera të zbulimit të anijeve të mbytura, e shpalli ‘Endurance’ mbytjen më të mirë që kishte parë ndonjëherë. Me qëndrimin drejt në shtratin e detit, ajo ishte në një ‘gjendje të shkëlqyer’, tha ai në deklaratën e ekspeditës.
Edhe pse video e marrë nga ekipi i ekspeditës dukej se tregonte disa direkë të thyer dhe dëmtime në kuvertë, Bound e quajti atë si ‘të paprekur’. Anija u gjet katër milje në jug të vendndodhjes së fundit të regjistruar nga navigatori i Shackleton.
Edhe pse eksploruesi nuk arriti kurrë në Polin e Jugut në 1915, ai arriti të shpëtojë të gjithë ekuipazhin e anijes së tij, e cila u mbërthye në akullin e detit më pak se 100 milje nga destinacioni i saj pasi lundroi nga Anglia.
Ndërsa Shackleton kishte shpresuar të arrinte kalimin e parë tokësor të Antarktidës, në vend të kësaj anija u shtyp ngadalë nga akulli gjatë 10 muajve të ardhshëm, me ekuipazhin që përfundimisht ngriti kampin në akull.
Shackleton dhe disa nga ekuipazhi, megjithatë, ishin në gjendje të drejtonin një varkë të vogël shpëtimi 800 milje në ishullin e Georgias Jugore, ku drejtuesi i ekspeditës organizoi me sukses shpëtimin e anëtarëve të mbetur të ekuipazhit.
Anija e mbytur do të lihet në vend sipas kushteve të Traktatit të Antarktidës, që e klasifikon atë si monument historik. Megjithatë, ekuipazhi bëri fotografi dhe video të anijes së zhytur në ujë dhe pritet të bëjnë një dokumentar dhe ekspozita muzeale.
Udhëtimi u financua nga Trusti i Trashëgimisë Detare të Falklands, ka kushtuar më shumë se 10 milionë dollarë.