Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Nuk i heq taksat për naftën edhe sikur të mblidhen 45 mijë vetë, nafta ka qenë në duart e pushtetarëve


Kryeministri Edi Rama, në intervistën e tij për emisionin “Kjo Javë” deklaroi se nuk do pranojë thirrjet për të hequr taksat te nafta edhe sikur të mblidhen 45 mijë veta në protestë.

Rama shtoi kriza energjitike filloi si rezultat i një inflacioni pas pandemisë dhe nuk mundet shteti të përcaktojë çmimet.

Ai tha se çmimet e energjisë janë rritur por është ndërhyrë në buxhet dhe po të hiqen taksat e naftës nuk ka ku të gjenden paratë.

“Kriza energjitike dhe rritja e çmimeve nuk filloi me luftën, por si rezultat i një inflacioni pas pandemisë. Nuk mundet shteti të caktojë çmimet dhe qeveria as i ul dhe as i ngre. Energjia është një mall që sot për sot ne mund të ndërhyjmë dhe e mbajmë me buxhet.

Ky konsumator e ka faturën 42 lekë, çmimi real me ditët e fundit është 297 mijë lekë, 7 herë më shumë. Ndërkohë në faturë nuk të vjen ky pasi qeveria paguan pjesën shtesë. 95 mijë bizneseve të vogla u kemi thënë nuk duam taksa, TVSH. Po nga do i marrim ne ato që na nevojiten se borxh nuk do të marrim. Unë u kam kërkuar falje atyre në Kukës për tarifën pasi nuk ishte vendim i diskutuar mirë nga qeveria. Ata kishin të drejtë atje. Studentëve u kemi dëgjuar fjalën. Këtu nuk kemi çfarë diskutojmë edhe sikur 45 mijë të mblidhen nuk lëviz taksa e naftës”-deklaroi Rama.

Më tej, kryeministri foli për naftën duke thënë se ajo ka qenë në duart e pushtetarëve pasi me të u bë një privatizim kriminal i pasurisë së vendit.

Ai shtoi se në terren janë dy kompanitë më të mëdha që nuk kanë lidhje me pushtetarët dhe kanë bërë një nga zbulimet më të rëndësishme për Shqipërinë pasi në të ka dalë të ketë një sasi të madhe gazi.

Kryeministri Rama tha se janë riparë të gjitha marrëveshjet dhe i konsideroi marrëveshjet e lidhura nën qeverinë e tij si me më shumë përfitim për shtetin.

“Nafta në Shqipëri ka qenë në duart e pushtetarët. U bë një privatizim kriminal i pasurisë tonë. Qeveria përgjigjet për burimet dhe sot ne kemi në terren 2 kompanitë më të mëdha të botës që nuk kanë lidhje me pushtetarët dhe kemi një nga zbulimet për të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë një sasi e madhe gazi. Ne kemi riparë të gjitha marrëveshje. Të sotmet janë marrëveshje me shumë përfitim për shtetin shqiptar. E treta eksporti i naftës tonë ka rënë në mënyrë drastike sepse ka pasur një periudhë shumë të vështirë të investimeve në naftë. Kemi mbjellë në mënyrë të shëndetshme në sektorët e gazit dhe naftës”-deklaroi Rama.