Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku e Sula i kërkojnë Bashës dorëheqjen: Sillu si politikan perëndimor, s’është karriera personale në lojë po PD-ja


Janë shtuar zërat mes deputetëve të PD-së që i kërkojnë Lulzim Bashës dorëheqjen.

Pas Alibeajt në mbledhjen me dyer të mbyllura në selinë blu, dorëheqjen e Bashës e kanë kërkuar edhe nënkryetarja Jorida Tabaku e deputeti Dashnor Sula.

Tabaku tha gjatë fjalë së saj se e përçarë PD-ja nuk mund të fitojë asgjë, për këtë arsye i duhet të bashkohet.

“Në politikë na dallon qëndrueshmëria. Nga 9 shtatori kam kërkuar bashkimin. Jam sulmuar pse kam kërkuar që të jemi bashkë. Rezultati që morëm në terren, na dëmtoi. Edhe pala tjetër nuk arriti asgjë. Pra vetëm bashkë mund t’ia dalim. Në Vorë më thanë se nga 25 prilli nuk ka patur njeri në terren nga PD. Ne nuk mund të jemi parti zyrash. Në çdo mbledhje, kam kërkuar që të mos përjashtojmë njerëz. Nuk jemi në politike për karrige. Unë jam gati të ik dhe si deputete. Nuk është karriera individuale në lojë, as e Bashës, e Joridës. Është PD në lojë. Secili duhet të kalojë mbi vete dhe të shohim cili është ky hapi përbashkues. Besoj kryetar që ju duhet të bëni një hap pas. Të gjejmë një mënyrë sesi faktorët në PD të bashkohen dhe ne të ecim përpara. Besoj se ne duhet të ishim sot në proteste. Ata presin që ne të jemi përballë Edi Ramës, jo njeri-tjetri. Na kanë votuar për alternativë qeverisëse dhe ne duhet të jemi një alternativë e tillë.” – ka thënë Tabaku

Ndërkohë Sula ka deklaruar se kryedemokrati duhet të sillet si politikan perëndimor e të tërhiqet për t’i hapur rrugën frymëmarrjes së partisë.

Ai theksoi se pret që Basha të marrë vendimin e duhur në fund të mbledhjes e të mos mbetet peng i egos për të qenë domosdoshmërisht kryetar.

“Kryetar ndryshe nga mbledhja e parë kur ne folëm dhe ju na dëgjuat, madje mbajtët edhe shënime për ato që ne thamë, sot unë shpresoj dhe besoj se ju keni ardhur me një formulë zgjidhjeje për këtë situatë. Gjatë këtyre ditëve, ju keni marrë kohën që ju është dashur por edhe unë dhe kolegët e mi kemi menduar dhe ideuar forma dhe mënyra të ndryshme reagimi përballë gjendjes në të cilën ndodhen demokratët sot. E them që dua vëmendjen tuaj sepse në varësi të zgjidhjes dhe vendimeve që t’i do të marrësh në fund të kësaj mbledhjeje, mbase kjo mund të jetë edhe fjala ime e fundit në këtë grup. Ndonëse do të ishte gjëja e fundit që do të doja. Ja ku e ke z. Basha gjithë grupin parlamentar që të mbështeti në vendimin që more për Sali Berishën. Pavarësisht se t’i personalisht pavarësisht insistimit të gjithë kolegëve nuk dole asnjë ditë në bazë për ta sqaruar atë vendim. Unë nuk jam bërë pishman sepse nisemi nga parimet e kushtetutës tonë, statutit që në preambulën flet për marrëdhënien me SHBA. Por nëse thua kam partneritet me SHBA, sillu si politikan perëndimor. Mos ngel rob i egos për të qenë domosdoshmërisht në krye të kësaj partie, pavarësisht çdo rezultati. Ka ardhur koha që të gjithë të marrin frymë lirisht. Ti vetëm i pari ke nevojë.” – tha Sula gjatë mbledhjes.