Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka dalë sot në një deklaratë për mediet, ku ka reaguar lidhur me pamjet e publikuara në rrjet policë civilë shihen në protestën qytetare duke tërhequr zvarrë një të ri mbi të gjitha në sy të medias.
Në videon e publikuar nga gazeta “Panorama” polici dëgjohet duke thënë “avash, avash se ka gazetarë”.
Vasili ka dënuar arrestimin me dhunë të protestuesve nga policët civilë, ndërsa ka bërë thirrje për largimin nga detyra të ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe kreut të Policisë, Gledis Nano.
“Jemi sëbashku për të vazhduar denoncimin e skandalit shumë të rëndë që vazhdon e thellohet lidhur me përdorimin kriminal të civilëve të paidentifikuar për të dhunuar dhe arrestuar qytetarët protestues.
Qytetarët, përveç dramës shumë të rëndë me rritjen e çmimeve, po përjetojnë një moment akoma edhe më të rëndë, me përdorimin nga Edi Rama të horrave me kapuçë të zinj, të cilit i dhunojnë dhe arrestojnë vajzat, djemtë, nënat dhe gazetarët duke dhunuar çdo ligj.
Kjo nuk ndodh në asnjë vend Europian. Kjo duhet të bënte me turp çdo qeveri dhe kryeministër të vendeve të NATO-s.
Paligjshmëria dhe veprimet mafioze të policisë janë tashmë të evidentuara me video, foto, dhe dëshmi të mjaft personave.
Gjykatat kanë reaguar duke i refuzuar këto vendime të paligjshme heqje lirie, dhe duke i liruar protestuesit.
Kjo situatë tepër e rëndë për liritë kushtetuese dhe të drejtat e njeriut, është e pa pranueshme, nga largon nga Bashkimi Evropian, krijon tensione të forta dhe e rrezikon ta degradojë situatën drejt vetë gjyqësisë.
Prokuroria shqiptare në mënyrë të patolerueshme ka lidhur duart dhe ka mbyllur sytë duke mos ndërmarrë asnjë veprim për të ndëshkuar drejtuesit e policisë por edhe ekzekutorët me xhupa të zinj që konsumojnë vepra kaq të rënda penale.
Avokati i Popullit duhet të veprojë me vendosmëri për të luajtur rolin e tij në mbështetje të të drejtave të qytetarëve, të cilat po dhunohen hapur e publikisht.
Shoqëria civile të mos i fshihet më këtij dhunimi flagrant dhe tepër të egër, të drejtave bazë të qytetarëve por të reagojë me të gjitha mjetet dhe format që ajo disponon.
Ështe e pakuptueshme, që asnjë nga përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtare në Tiranë, duke filluar nga OSBE, përfaqësuesit e Bashkimit evropian, dhe përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, të mos reagojnë, qoftë edhe me një rresht të vetëm në Tëitter apo në Facebook për këto shkelje të tmerrshme të lirive themelore të njeriut, kur dihet që nuk kanë munguar të reagojnë qoftë edhe për prishjen e kërpudhës së kryeministrit te kryeministria.
Lëvizja Socialiste për Integrim, do t’i kërkojë zyrtarisht prokurorisë të administrojë të gjitha këto pamje që po publikojmë dhe të tjera që janë bërë publike në media vizive por edhe në media sociale, duke kërkuar që ajo të fillojë çështjen penale për urdhëruësit dhe autorët e tyre.”– deklaroi Vasili.