Vendosni fjalën kyçe....

“Bota i ka pranuar çmimet e larta, ne jo” – Deklaratat e Ramës sot


Kryeministri Edi Rama këtë të dielë mbajti një bashkëbisedim për të informuar punonjës në sektorë të ndryshëm për paketën e rezistencës sociale, ndërhyrjet e qeverisë dhe efektet e krizës ndërkombëtare në ekonomi. Kjo një ditë pasi prezantoi Paketën e Rezistencës Sociale me 7 pika për t’iu gjendur pranë qytetarëve për rritjen e çmimeve.

Ky takim nisi në orën 10:00, vetëm një orë para protestës së qytetarëve kundër rritjes së çmimeve dhe Rama nuk i kurseu komentet ironike për këtë.

Zerimi i taksës mbi pagat deri 40 mijë lekë

 “Në këtë situatë të befasishme të ndikuar nga një luftë që ndodhet më pak se 2 orë në vijë ajrore, po shikojmë pasoja tek rritja e çmimeve dhe prandaj kemi vendosur dje paketën e rezistencës sociale, ndër të cilat është masa për ta futur në fuqi menjëherë në Prill dhe jo në Qershor siç ishte plani, heqjen e taksës mbi pagën deri në 400 mijë lekë.
Keni dhe një të ardhur plus, bëhet fjalë për një 7%, që ndahet mes punëmarrësit dhe punëdhënësit, rëndësi ka që të gjitha paratë që merrni do i çoni në shtëpi, pra nga 340-400. Ata që janë me pagë deri në 500 do paguajnë vetëm gjysmën e taksës. Përsëri është një lehtësim i konsiderueshëm.”- tha Rama.

“Gjysma e shqiptarëve me pagë më të lartë se ajo minimale”

Kryeministri Edi Rama komentoi edhe pagën minimale në vendin tonë duke thënë se do të bëhet që nga muaji prill 32 mijë lekë të reja ore 320 mijë lekë të vjetra ndërsa qëllimi është për ta çuar në 400 mijë lekë të vjetra deri në fund të mandatit. Sipas tij, gati gjysma e të punësuarve në Shqipëri janë me një pagë më të lartë se paga minimale.

“Në këtë situatë absurde të krijuar nga një luftë që zhvillohet vetëm 2 orë larg në vijë ajrore nga ne, shikojmë edhe pasojat e rritjes së çmimeve. Kemi vendosur heqjen e taksës me pagën mbi 40 mijë lekë. Keni dhe në të ardhur plus, që është një 7% i ndarë mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Pagat minimale në Shqipëri janë 30 mijë lekë dhe nga fillimi i muajit prill do të reflektohet rritja e pagës minimale e cila do të shkojë 32 mijë lekë. Deri në fund të mandatit, paga minimale do të shkojë deri në 40 mijë lekë. Gati gjysma e të punësuarve në Shqipëri janë me një pagë më të lartë se paga minimale.”- tha Rama.

“Ndihmën prej 30 mijë lekë do e marrin gjysmë milionë njerëz”

Rama lajmëroi sot se pasi bëri publike pikat e paketës së rezistencës sociale, janë bërë të tjera llogari që do ta çojnë sipas tij në mbi gjysmë milioni persona numri e përfituesve të 30 mijë lekëshit, për tre muaj rresht, që të përballohet rritja e çmimeve të produkteve të shportës bazë.

“Dje kemi bërë kalkulime të tjera për të shtuar përsëri përtej atyre që anoncova se kalkulimet bëhen deri në fund me kategori dhe do kalojmë gjysmë milion njerëz që do përfitojnë nga mbështetja, gjysmë milioni njerëz që do marrin për tre muajt e ardhshëm 30 mijë lekshin që kompenson rritjen e cmimeve të shportës.

Do shtojmë 30 mijë lekë në dorë që pavarësisht rritjes së cmimeve familjet t’i blejnë ushqimet njësoj sikur nuk ishin të rritura mos u mungojë asnjë lekë.

Këtu janë kategori specifike pensionistësh shkojmë në mbi 400 mijë pensionistë që do marrin këtë shumë, pastaj kemi gjithë familjet në ndihmë ekonomike, gjithë kategoritë e invalidëve paraplegjikëve të të verbërve.”– tha Rama.

“Nuk do ketë rritje të çmimit për transportin urban”

Rama deklaroi se të gjithë ata që përdorin linjat urbane, ndërurbane nuk do të kenë rritje të çmimit të biletës. Ai theksoi se koston shtesë do e paguajë qeveria.

“Ne jemi këtu edhe për transportin tuaj. Ju nuk vini këtu, se këtu nuk është qendra e Tiranës, ju nuk vini këtu me vetura, ju vini këtu me fugon, vini këtu me autobus, nuk e di si e keni të organizuar transportin, mbase e garanton kompania por ka shumë e shumë si ju që marrin autobusin dhe ne jemi këtu që të mos ju rritet çmimi i biletës. Prandaj kemi vendosur në këtë paketë rezistence, 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, që ju të vazhdoni të paguani të njëjtin çmim dhe ne qeveria paguajmë pjesën tjetër dhe ju nuk e ndjeni fare rritjen.”- tha Rama.

Komenti për protestat: E bënë Shqipërinë turpin e botës, dalin me X5 e iPhone-a

Rama ka folur për protestat kundër rritjes së çmimeve që këtë javë kanë përfshirë vendin. Ai e quajti këtë turp në sytë e botës, pasi sipas tij në këtë kohë luftë Shqipëria është i vetmi vend ku po protestohet për rritjen e çmimit të naftës.

“Ne nuk jemi këtu të ulim naftën për ata që duan të furnizojnë Fouristradat X 5 për të bllokuar rrugën e për t’i mbajtur njerëzit në rrugë në këtë kohë lufte për turpin e dheut ndërkohë që e gjithë bota del në protesta për t’u solidarizuar me ata të shkretët që i kanë bombat mbi kokë, me ata që vdesin atje, që iu shkatërrohet çdo gjë, që iu ndahen familjet me dhunë, që gratë e vajzat marrin fëmijët e ikin dhe burrët marrin armët për të luftuar pavarësisht se s’kanë parë kurrë një pushkë në jetën e tyre, këtu janë disa që dalin me makina X 5 e bëjnë protesta me drita ajfonësh.

Nuk kanë pensionistët drita ajfonësh dhe nuk kanë as vetura për të mbushur dhe nuk janë pensionistët apo gratë që marrin furgonët ndotëse të mjedisit dhe prandaj ata që kanë mundësi më shumë, pavarësisht se çmimi është rritur do paguajnë më shumë. Është koha t’u ndjerë mirë që ke mundësi për të paguar më shumë dhe nuk është koha për të vënë kujën e për të dalë atje duke bërë Shqipërinë turpin e botës.

I vetmi vend i NATO-s, i vetmi vend i Evropës, i vetmi vend i botës… se kriza që thonë këta nuk ka lidhje me luftën, kriza e luftës ka shkuar deri në Australi. I vetmi vend në botë që bën protesta për llogari të ca personazheve që duan prap të përfitojnë nga situata. Ndërkohë që ne jemi ëktu edhe për transportin tuaj. Ju nuk vini këtu me vetura, vini me furgon, me autobus, por ka shumë e shumë si ju që marrin autobusin. Dhe ne jemi këtu që mos t’ju rritet çmimi i biletës. Prandaj ne do paguajmë diferencën e çmimit të diferencës. Dhe ju nuk e ndjeni fare rritjen. Ne nuk jemi ëktu që të ulim çmimin e naftës, të ulim taksën e naftës dhe të rrisim çmimin e energjisë, sepse çmimi i energjisë i prek të gjithë. Nuk jemi as të rrisim taksën për rrogën tuaj… sepse nëse ul diku do ngresh diku tjetër për t’i paguar të gjitha këto.”- deklaroi kryeministri Rama.

“E gjithë bota i ka pranuar çmimet e larta, ne jo”

Pak para protestës kryeministri është shprehur se rritja e çmimeve është kostoja minimale që mund të paguajë vendi jonë për të qenë në krahë të Ukrainës.

Rama krahason Shqipërinë me vendet e tjera të Perëndimit dhe thotë se popujt e tyre i kanë pranuar çmimet e larta, vetëm shqiptarët jo.

“Shoqëritë e zhvilluara kanë rënë dakord prandaj dhe janë zhvilluar. Faktet nuk luftohen. Faktet janë fakte. Nuk mund të debatojmë faktet.
Sot Shqipëria është një nga dhjetëra e dhjetëra vendet që po sheh pasojat e një lufte ku bombat e raketat bien në Ukrainë, ndërsa këtu lufta paraqitet me faturat. Ky është fakt. Të diskutosh këtë është të marrësh rrugët të turpërosh kombin, shtetin tënde në sy të gjithë kombeve tjera që janë në krahë të Ukrainës. Të jesh në krahë të Ukrainës duhet të të pranosh që je në luftë. Kur vendet e mëdha vendosën sanksione vendosën të paguajnë një çmim. Rusia prodhuesi më i madh i grurit, naftës gazit. 40% e ngrohjes në Europë varet nga Rusia. Deri në Amerikë ka shkuar efekti. 2.4 euro nafta në Itali. Vendet e tjera e kanë pranuar këtë gjë, e kanë pranuar edhe popujt. Ky është çmimi minimal që ne po paguajmë për të mbrojtur ata atje.
Luftën nuk e bëm/ ne, nuk e nisëm ne. Çfarë do bëjmë apo do dëgjojmë këta që thonë më mirë mos bashkoheshim me sanksionet kundër Rusisë dhe ne të paguajmë naftën. Është dembelizëm i madh mendor. Në Turqi është dyfishuar çmimi i karburantit.”– tha Rama.

Tjetët batutë për protestuesit: “Kur shkon në varr nuk punon karta e kreditit”

Ndërsa komentonte protestat, Rama tha se ai qesh kur dëgjon akuzat se ai vjedh qytetarët.

“Ndaj qesh kur më thonë vjedh vjedh, jo mo fare, e para jam shumë i gjatë e nuk ulem dot për të fut duart në xhepat e të tjerëve.

E dyta e kam mësuar që i vogël se kam pasur një gjyshe shumë fetare që kur shkon në varr nuk punon karta e kreditit.

Kështu që dhe pronarët duhet ta kuptojnë që kanë plot dhe për të ndarë.”– tha Rama.

“Po negociojmë me Serbinë për të marrë një sasi gruri”

Në një kohë kur çmimi i miellit është rritur në vend për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, Rama tha se po negociohet me Serbinë për një sasi gruri të kontraktuar më herët nga kompanitë shqiptare, para se Serbia të bllokonte eksportet për të ruajtur popullin e saj nga kriza.

“Po negociojmë tani me Serbinë për të nxjerrë një pjesë të grurit që është kontraktuar nga kompanitë tona. Besojmë se do ta bëjmë, nëpërmjet Ballkanit të Hapur. Këto janë faktet. Ju gratë e dini që burrat luftojnë me faktet. Duan t’iu dalë e vetja dhe nuk pranojnë faktet.”– tha Rama./Hashtag.al