Një burrë 35-vjeçar kosovar është arrestuar në Zvicër, pasi dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij 32-vjeçare.
Mediet zviceriane shkruajnë se ngjarja e rëndë ka ndodhur në Rapperswil-Jona të Zvicrës.
Siç njoftoi policia, herët në mëngjesin e së shtunës një shqiptar nga Kosova, ka raportuar në qendrën e thirrjeve të urgjencës kantonale të St. Gallen se sapo kishte plagosur rëndë gruan e tij. Kjo ndodhi rreth orës 03:20. Burri u arrestua por ndihma e mjekëve dhe e policisë mbërriti shumë vonë për gruan, pasi ajo kishte vdekur.
Tashmë policia thotë se po hetohet rrjedha e saktë e ngjarjes dhe motivi. Policia nuk ka dhënë asnjë informacion për armën e përdorur.
Në momentin e krimit në banesë ndodheshin edhe tre fëmijë që jetonin në të njëjtën familje. Ata sipas autoriteteve nuk kanë pësuar lëndime dhe janë duke u kujdesur nga familjarët.