Një ish-shef i ushtrisë britanike ka deklaruar se aleatët perëndimorë nuk duhet të përjashtojnë vrasjen e presidentit rus Vladimir Putin.
Koloneli Richard Kemp, i cili komandonte trupat britanike në Afganistan u shpreh: “NATO duhet të shqyrtojë të gjitha opsionet për ta hequr atë nga pushteti. Kjo do të përfshinte vrasjen e tij edhe pse nuk ka gjasa të jetë e zbatueshme apo e dëshirueshme.”
Kemp beson se presidenti rus duhet të paktën të përballet me akuzat për krime lufte.
“Gjëja më e mirë do të ishte të shihnim Putinin të rrëzohet, të arrestohet dhe të gjykohet, qoftë në Rusi ose në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.”– tha ai, citon Mirror.
Por më pas shton se këto opsione nuk kanë gjasa të ndodhin ndonjëherë.
Oficeri në pension i ushtrisë tha se ndërsa një atentat mund të jetë i papranueshëm për shumë njerëz, atentati gjithashtu mund të jetë mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës dhe për të parandaluar konfliktet e ardhshme.
Kemp shtoi: “Nëse bëhet fjalë për një atentat, kjo mund të jetë e papëlqyeshme për shumë njerëz, por jeta e tij nuk ka vlerë më të madhe se jeta e mijëra njerëzve që ai ka vrarë tashmë në Ukrainë dhe gjetkë dhe mund të vrasë në të ardhmen.”