Pasi u përball me kritika të shumta nga komentues të ndryshëm, Kryeministri Edi Rama është detyruar të publikojë një sqarim për foton e postuar të nënës me fëmijën e vrarë në Ukrainë.
Në sqarimin e tij Rama sërish ka sulmuar protestuesit kundër rritjes së çmimeve duke lidhur komentet me ata që protestojnë përballë kryeministrisë.
Ai thotë se ndërkohë që ka luftë në Ukrainë, protestat e turpërojnë Shqipërinë.
Postimi i plotë i Kryeministrit Rama:
*një sqarim një orë pas postimit:
këto dy foto janë postuar sot gjithandej duke bërë xhiron e botës, sepse kjo nënë dhe i biri, janë varrosur në oborrin e shtëpisë së bombarduar, pa mundësinë as të një varrimi normal
do të ishte minimumi i njerzillëkut, që ata të cilët nuk i ka futur askush me zor në këtë faqe dhe që nuk duan të dalin, sepse duan të shfryjnë këtu epshin e urrejtjes së verbër politike dhe paturpësisë së padijes së tyre, ta bëjnë këtë në postimet e tjera, po jo në postimet nga lufta në Ukrainë, ku shfaqen si bishti i shëmtuar i protestës më të shëmtuar në historinë e pluralizmit, e cila na turpëron si popull dhe turpëron atdheun tonë, Shqipërinë, si të vetmin vend në botë ku protestohet për pasojat e para të luftës mbi çmimet, ndërkohë që në çdo vend tjetër të NATO-s e të botës demokratike, protestohet vetëm kundër luftës në Ukrainë!