Policia në Spanjë ka arrestuar dy vëllezër shqiptarë, të cilët ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të mbetur në tentativë.
Bëhet fjalë për dy vëllezërit Enkel e Morel Kertalli, për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”.
Njëri nga vëllezërit, Morel Kertalli akuzohet se përdorte një pasaportë të falsifikuar të Maqedonisë së Veriut.
Njoftimi nga Policia e Shtetit:
Vijon bashkëpunimi i ngushtë i strukturave të Policisë së Shtetit me homologët, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Valencia”.
Operacioni u realizua nga Fast Albania në bashkëpunim të ngushtë me Fast Spain dhe me Interpolin e të dy vendeve.
Kapen dy vëllezër, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të mbetur në tentativë.
Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë, ndërmjet FAST Albania dhe FAST Spain për vendndodhjen e dy vëllezërve në kërkim, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Valencia”.
Në kuadër të operacionit, në qytetin Valencia të Spanjës, bazuar në informacionet e dhëna nga Fast Albania, u bë e mundur kapja, nga Fast Spain, e dy vëllezërve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. K., 37 vjeç dhe M. K., 41 vjeç, i cili përdorte një pasaportë të falsifikuar të Maqedonisë së Veriut.
Për të dy vëllezërit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”.
Ky operacion tregoi rëndësinë e krijimit të strukturës policore Fast Albania si dhe profesionalizmin dhe besueshmërinë e strukturave të Policisë së Shtetit për të vepruar si të barabartë me homologët.