Brizida Gjikondi, një aktiviste e Partisë Socialiste u shfaq së fundmi në një studio televizive me kompetencën e dikujt që e ka bërë KGB-në ruse t’i vijë zor nga vetja. Juristja Gjikondi ka komentuar gjatë një interviste për “MCN TV” protestat e javës së fundit kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe produkteve të shportës.
Ajo u shpreh se nuk e përjashton mundësinë që në këtë protestë të ketë influencë ruse apo serbe duke i lidhur ata me ish-kryeministrin Sali Berisha. Sipas Gjikondit, ata persona që mbështesin Berishën janë pro-rusë.
“Nuk përjashtoj as influencën ruse dhe serbe në protestë. Po janë me Berishën, dihet që janë pro-rusë. Nëse shkon në një kah me rusët për rezultatin e destabilizimit të Shqipërisë, është pro-ruse. Një nga më të përfshirët është Berisha, një anti-amerikan i thekur.”- tha Gjikondi.
Gjatë fjalës së saj, Gjikondi pranoi se personalisht nuk ka qenë pro këtyre protestave dhe as nuk ka marrë pjesë sepse beson se nuk ishte momenti i duhur.