Vendosni fjalën kyçe....

Kina paralajmëron liderët e Tajvanit: S’do lejojmë asnjë lëvizje separatiste


Ushtria e Kinës tha se është e gatshme të kundërshtojë ndërhyrjen e huaj dhe përpjekjet për të shpallur ishullin një komb të pavarur, tha zëdhënësi i saj.

“Sa më shumë që SHBA-ja e Japonia bëjnë zhurmë për çështjen e Tajvanit, aq më të ashpra do të jenë reagime që do ndërmarrim për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”, tha zëdhënësi ushtarak, Wu Qian, për mediat kineze.

Ai tha se ushtria mbështeti qëllimin e ribashkimit paqësor me ishullin, por ‘nuk do të tolerojë kurrë që forcat separatiste të Tajvanit’ të ndajnë atdheun’. Zyrtari fajësoi udhëheqjen e Tajvanit për përshkallëzimin e vazhdueshëm të tensioneve rreth tij.

Duke folur për potencialin për një konflikt të armatosur në Tajvan të enjten, ministri i tij i Mbrojtjes Chiu Kuo-cheng parashikoi se pas një lufte të tillë, ‘të gjithë do të jenë të mjerë, madje edhe fituesit’.

Më herët gjatë javës, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi përsëriti planet e Pekinit për të riintegruar Tajvanin në mënyrë paqësore në vend që ta pushtojë atë.

Duke folur për mediat gjatë një konference vjetore për shtyp të hënën, ai theksoi se si pjesë integrale e Kinës, Tajvani ishte thelbësisht i ndryshëm nga Ukraina, një komb i pavarur.