Kryetarja e LSI-së pohoi mbrëmjen e sotme se kreu i PD-së Basha është i përfshirë në aferën e Portit të Durrësit.
Kryemadhi tha në emisionin ‘Çim Peka Live’ se Basha është kopje e riciklueshme e kryeministrit Edi Rama.
Sipas saj, ajo që po ndodh në PD është debat i të gjithë shqiptarëve.
“A është i përfshirë Lulzim Basha te afera e Portit të Durrësit? Unë mendoj se po. Por nuk është vetëm Porti i Durrësit. Zbërthimi i skemës Basha-Rama i ka ndërgjegjësuar njerëzit. Basha është kopje e riciklueshme e Edi Ramës. Rama blen, nuk fiton. Nëse do fitonte, nuk do i kishte fermerët në protestë. Nuk mund ta them që është debat i brendshëm i PD-së, por është debat i gjithë shqiptarëve. Ky është debat i gjithë Shqipërisë. Opozita është e shitur tek Edi Rama. Një opozitë e përçarë nuk e rrëzon dot Edi Ramën. Zgjedhjet lokale janë pas një viti. Gabimi im, që i dhashë pa kushte çdo lloj atributi Bashës që të drejtojë opozitën. Basha e ka në rregull në terezinë e tij, shet apartamente në portin e Durrësit. Unë mendoj që është aty. Nuk është vetëm tek porti.” – tha Kryemadhi.