Ka nisur protesta për të gjashtën ditë radhazi kundër rritjes së çmimit të naftës dhe produkteve ushqimore.
Qindra protestues me pankarta në duar po marshojnë drejt Kryeministrisë. NË një nga këto pankarta shkruhet: “Kush mbjell uri, korr revoltë”.
Protestuesit dhe aktivistët pritet të bëjnë me dije sot listën e kërkesave të tyre në kushtet e kësaj rritjeje të përgjithshme të çmimeve.
Kujtojmë se paralelisht me protestën do të mbahet edhe koncerti me rastin e “Ditës Verës” te sheshi “Skënderbej”.
Aktivisti Mirgen Qiraxhi gjatë fjalës së tij, ironizoi paketën e kryeministrit Edi Rama duke thënë se është “si ato rezistenca që digjet sa e vë në prizë”.
“Të dashur bashkëqytetar me X5 afrohuni, të dashur bashkëqytetarë me rolexa afrohuni, qytetarë me iphone afrohuni.
Ja ku jemi në ditën e 6-të të rezistencës tonë. Në ditën e 6-të të presionit ndaj qytetarit, në ditën e 6-të të këtij kryeministri të vetmuar, në ditën e 6-të të vetmisë së madhe, në ditën e 6-të të një proteste që nuk i ka kryer asnjë dëm këtij qyteti. Kryeministri mbyllet me blinda.
Ndërkohë që qytetarët i ka lënë pa bukë, paketa e rezistencës së këtij kryeministri është si ato rezistenca që digjet sa e vë në prizë. Të dashur qytetarë keni frymëzuar një Shqipëri të prerë. Qytete me radhë janë të gjithë në protestë, a e kuptoni çfarë keni bërë apo jo?
Kryeministrit i prishët pushimet e kthyet nga Dubai. Kryeministri refuzoi 6 ditë më parë të pranonte krizën, vetëm kur ju pa ju këtu e kuptoi se duhej të kujdesej për të mbajtur karrigen. Çfarëdo që ju ka dhënë nuk e ka dhënë por e keni marrë. A e kuptoni çfarë ka dhënë, u ka dhënë pensionistëve 30 mijë lekë, një bukë në ditë u ka dhënë.
Pensionistët që kanë ndërtuar këtë vend, u ka dhënë 30 mijë lekë. Kjo është për të qeshur. Kjo protestë nuk është sprint, por është maratonë, është qëndrim. Ne nuk shkulemi pa fituar dinjitetin, ne nuk shkulemi pa fituar dinjitetin.”– tha Qiraxhi.
Paralelisht me protestën që po zhvillohet në Tiranë, në këto momente edhe qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër rritjes së çmimeve.
Me pankarta në duar ata i bëjnë thirrje qeverisë të ulë taksat.
Në një nga pankartat ironizohet edhe koncerti që do mbahet më vonë sot në kryeqytet ku pritet të këndojë këngëtari kolumbian me famë botërore, Maluma.
“Edi Rama: Kush shkon në koncertin e Malumës është nder i kombit, kush del në protestë është turp i kombit.”– thuhet në një nga pankartat ironizuese.
Ata i referohen termit të përdorur nga kryeministri Edi Rama se protestuesit po kthehen në një turp kombëtar.