Vendosni fjalën kyçe....

Peskov: Nuk e përjashtojmë si mundësi marrjen nën kontroll të qyteteve të mëdha në Ukrainë, po na shtyjnë SHBA-ja dhe BE-ja


Ministria ruse e Mbrojtjes nuk e përjashton mundësinë e marrjes së kontrollit të plotë të vendbanimeve të mëdha në Ukrainë. Të paktën kështu u tha gazetarëve sot Dmitry Peskov, sekretari i shtypit i Presidentit të Federatës Ruse.

 “Ministria e Mbrojtjes, duke garantuar siguri maksimale për popullatën civile, nuk përjashton mundësinë e vendosjes nën kontroll të plotë të vendbanimeve të mëdha, të cilat sot janë praktikisht të rrethuara, me përjashtim të zonave që përdoren për evakuim humanitar.”– theksoi zëdhënësi i Kremlinit, sipas agjencisë së lajmeve ruse TASS.

“Forcat e armatosura ruse po përdorin armë moderne me precizion të lartë, duke goditur vetëm infrastrukturën ushtarake dhe të informacionit.”- kujtoi Peskov. Ai shtoi se të gjitha planet e udhëheqjes ruse për të kryer një operacion special në Ukrainë “do të zbatohen plotësisht brenda kornizës kohore të miratuar paraprakisht”.

Zëdhënësi i Kremlinit tha se Moska e konsideron provokues pozicionin e SHBA-së dhe të BE-së, të cilat me deklaratat e tyre sipas tij po e shtyjnë Rusinë të sulmojë qytetet kryesore të Ukrainës për ta bërë atë përgjegjëse për vdekjen e civilëve.

“Moska ka marrë parasysh deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë të SHBA-së dhe BE-së Sullivan dhe Borrell që thonë se Putin është i frustruar se trupat e tij nuk po përparojnë siç mendonte ai në qytetet e mëdha, përfshirë Kievin dhe se gjoja në lidhje me këtë, Putin po rrit numrin e objektivave që sulmon dhe përpiqet të dëmtojë çdo pjesë të vendit.”– tha Peskov.

Ai theksoi se “në fillim të operacionit, Presidenti i Rusisë, në të vërtetë e udhëzoi Ministrinë e Mbrojtjes që të përmbahej nga një sulm i menjëhershëm ndaj vendbanimeve të mëdha, duke përfshirë Kievin”. Ai thotë se kjo u bë për shkak të faktit se kjo do të rezultonte në mënyrë të pashmangshme në viktima të rënda civile.

“Zyrtarët e lartpërmendur të lartë të SHBA-së dhe BE-së duket se po e shtyjnë Rusinë të sulmojë qytetet kryesore të Ukrainës, në mënyrë që ta mbajnë vendin tonë përgjegjës për vdekjen e civilëve. Ne besojmë se një pozicion i tillë është provokues.”- tha zëdhënësi i liderit rus.