Shtetet e Bashkuara thanë se Kina do të përballet me “pasoja të ashpra” nëse e ndihmon Rusinë në pushtimin e Ukrainës, raportojnë mediat amerikane.
Zyrtarë të paidentifikuar raportohet se u kanë thënë mediave të shumta amerikane se Rusia i ka kërkuar Kinës t’i ofrojë ndihmë ushtarake.
Ambasada kineze në Uashington tha se nuk është në dijeni për këtë kërkesë.
Në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha se Uashingtoni “po komunikon drejtpërdrejt dhe privatisht me Pekinin” dhe se ai do të ketë “pasoja të ashpra” nëse mbështet Rusinë.
Parlajmërimi vjen përpara një takimi që Sullivan pritet të zhvillojë sot në Romë me zyrtarë të lartë kinezë.
Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt, Pekini ka shprehur mbështetje retorike për aleatën e tij, Moskën, por nuk është e qartë publikisht nëse i ka ofruar ndonjë mbështetje ushtarake ose ekonomike.
Pekini, në të njëjtën kohë, ka shprehur “mbështetje të palëkundur” edhe për sovranitetin e Ukrainës.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje për paqe dhe ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë në përfundimin e luftës përmes diplomacisë.
Mediat në SHBA, ditëve të fundit, kanë cituar zyrtarë amerikanë të kenë thënë se Rusia i ka kërkuar Kinës në mënyrë specifike pajisje ushtarake, përfshirë dronë.
Përgjigjja e Kinës ndaj kësaj kërkese nuk dihet.