Nga Auron Tare
Sot me 15 të Marsit të 1875 lindi në Konicë të vilajetit të Janinës një nga shqiptarët më brilantë të rilindjes kombëtare, Faik Beu. Pinjoll i fundit i Oxhakut të Konicës, studioi në një sërë shkollash perëndimore ku më e rëndësishmja për formimin e tij ishte shkolla e priftërinjve jezuitë në Shkodër si dhe Instituti Frëng në Gallatasaraj të Stambollit. Udhëtar i përjetshëm, aristorat i rafinuar, englez më shumë se inglezërit, frëng më shumë se frëngjerit, kritik dhe eseist brilant jetoi në disa kryeqytetet europiane ku jetën ja dedikoi Shqipërisë edhe pse shkruante për një komb që më së shumti nuk lexonte.
Mbrojtësi më i madh i Kulturës shqiptare në Europë por edhe kritikuesi më i ashpër i saj brenda vendit Faik Beu kudo që shkoi shkëlqeu nga kultura dhe eksentricizmi i tij. Mjeshtër i shqipes, zbulues i flamurit të Arbërit, mbajtës i qiririt të ndezur të shkrimit shqip, kalorës i pavarësisë, Kombi i shqiptarëve rrallë mund të nxjerrë figura të tilla që ndriçojnë dhe çudisin njëkohësisht bashkë kohësit e tyre. Në Kryeqytetin e Amerikës së largët shpesh i mërzitur nga padija gjeografike e amerikanëve bridhte bulevardit të Washingtonit i veshur me rroba kombëtare shqiptare për të tërhequr vëmendjen e publikut për këtë vend dhe komb të harruar.
Dashuria e tij e madhe për identitetin kulturor shqiptar e bënte atë një kritik therës të pasanikëve dhe injorantëve të rinj që mbushën shtetin e brishtë të cilët nuk e kuptuan kurrë shpirtin e aristokracisë shqiptare që Faik Beu e përfaqësoi aq denjësisht. Shkrimet e tija therëse lexohen me endje sot sikur t’i ketë shkruar enkas për injorancën shqiptare post komuniste: “Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë zënë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mend mirë këtë që po ju thom: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa ishim.”
Gjithë jetën Luftoi për një Shqipëri më të mirë, vdiq i vetmuar në një dhomë hoteli me faturat ende të pa paguara pasi nuk kishte më asnjë mjet jetese.
Disa vite të shkuara shkova në Konicë për të parë shtëpinë e tij. E rrënuar sigurisht por çuditërisht grekërit të cilët Faik Beu i kishte kritikuar gjithë jetën për zullumet kundër shqiptarëve nuk ja kishin prishur shtëpinë Beut të letrave të shqiptarëve. Nuk ja kishin marrë qoshet e mureve të gdhendura aq bukur. Nuk ja kishin shkulur portën madhështore dhe t’ja shisnin, as baçenë nuk ja kishte marrë ndonjë iforte nga Konica. Çudi e madhe grekët e kishin respektuar shenjtërinë e shtëpisë së Beut të Konicës. Të kishte qenë kësaj anë të kufirit shtëpia e Faik Beut me siguri nuk do t’i kishte mbetur asnjë gjurmë se do ja kishin vjedhur gurët e shtëpisë ata që Faiku ju këndoi dhe i mbrojti gjithë jetën e tij.
Grekërit që ne i shajmë gjithë kohën në fakt me mençuri kanë mundur të restaurojnë çdo gjurmë të tyre apo që pretendojnë se është e tyrja në Shqipëri. Shteti i shqiptarëve nuk i doli dot për zot jo shenjave të rëndësishme kombëtare siç është shtëpia e Faik Beut në Konicë përshembull por as ato që ka këtej kufirit të tij. Sa bukur do ishte sikur ne shqiptarët e kësaj epoke të mundemi si të barabartë me grekërit të tregojmë fisnikërinë dhe të mundemi të restaurojmë shenjat tona të rëndësishme të kulturës sonë, përpara se t’i humbim ato përfundimisht dhe pas një shekulli të jenë tretur si shumë e shumë figura që sot nuk ju dihet as varri. Eh sa ëndërr e bukur por siç do thoshte Faik Beu kur mërzitej me Shqipërinë e tij dhe Peshkop Noli i Bostonit e kritikonte se nuk kishte shkruar prej kohës për mëmëdhenë “Hirësi, ja i shkrova unë po kush do t’i lexojë?”