Gjatë vizitës së tij në Tiranë, përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell njoftoi paketën e katërt të sanksioneve ndaj Rusisë.
Në një konferencë të përbashkët për mediet me kryeministrin Edi Rama, Borrell tha se ky ishte një moment kritik ndërsa e konsideroi një “agresion brutal” ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë.
Duke njoftuar paketën e katërt të sanksioneve të miratuara sot, Borrell tha se masat do të kenë ndikim në tregtinë ruse, qasjen në tregje, eksportin e mallrave.
“Të gjithë e dimë që ky është një moment kritik për ne, për BE-në, për gjithë botën. Është moment kritik dhe më shumë se kurrë duhet të takohemi e të diskutojmë këto çështje. Është e tmerrshme, se si udhëheqja ruse vijon të sulmojë Ukrainën pa dallim. Nuk është thjesht një luftë në kuptimin ushtarak. Forcat e Armatosura ruse po shkaktojnë vdekje. Por kemi parë edhe qëndresën kurajoze të popullit të ukrainës. Vijojnë me këtë qëndresë, do vijojmë mbështetjen tonë për Ukrainën, pavarësisht kërcënimeve ruse, kjo mbështetje do të vijojë.
Ka qenë agresion brutal nga Rusia dhe në përgjigje ne kemi miratuar sot për një paketë të katërt të fortë masash kufizuese që të kontribuojë më tej për të rritur presionin ekonomik ndaj Kremlinit si edhe të gjymtojë bazën e vet logjistike. Masat do të kenë ndikim në tregtinë ruse, qasjen në tregje, eksportin e mallrave, në shënjestër kemi vënë edhe sektorë kritikë të ekonomisë.
Po ashtu në listën tonë, po shtojmë gjithnjë e më shumë individë që luajnë një rol aktiv në mbështetjen që u japin klikës së Putinit. Kjo është një goditje tjetër madhore mbi të cilën Putin po ndërton pushtimin.”– deklaroi Borrell.