Vendosni fjalën kyçe....

Lufta bërthamore është tashmë ‘brenda fushës së mundësisë’ – Shefi i OKB-së


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres paralajmëroi të hënën se një përshkallëzim i vazhdueshëm i luftës në Ukrainë ‘qoftë rastësisht apo i projektuar’ do kërcënojë mbarë njerëzimin. Ai më tej alarmoi se konflikti mund të përfundojë në apokalips bërthamor.

“Perspektiva e konfliktit bërthamor, dikur e paimagjinueshme, tani është kthyer në sferën e mundësisë”, tha Guterres.

Komentet e Guterres për luftën bërthamore u bënë lidhur me masën e marrë nga Rusia para pak javësh për të vënë në gatishmëri forcat parandaluese bërthamore, të cilat përfshijnë armë të ndryshme strategjike, si ato bërthamore ashtu edhe konvencionale.

Në anën perëndimore, disa ekspertë dhe politikanë në Evropë dhe SHBA po bëjnë presion që NATO të shpallë një ‘zonë ndalim-fluturimi’ mbi Ukrainë, një veprim që do ta bënte aleancën të kërcënonte rrëzimin e aeroplanëve rusë në qiellin e Ukrainës.

Deri tani liderët e NATO-s e kanë hedhur poshtë një mundësi të tillë si tejet të rrezikshme pasi mund të tërheqë në një konflikt të gjerë e të plotë të aleancës me Moskën. SHBA-ja ka deklaruar vazhdimisht se nuk do përballet me Rusinë ushtarakisht nëse nuk sulmohet një anëtar i NATO-s.

Përveç spektrit të konfliktit bërthamor, Guterres paralajmëroi se ‘kjo luftë nuk do të ketë fitues, por vetëm humbës’.

Të varfërit e botës do të preken veçanërisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve, tha ai, duke vënë në dukje se ‘vetëm Ukraina siguron më shumë se gjysmën e furnizimit me grurë të Programit Botëror të Ushqimit’ dhe se Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë gjysmën e furnizimit botëror me vaj luledielli dhe një të tretën e grurit të saj.

“Kjo luftë shkon shumë përtej Ukrainës. Shpata e Damokleut varet mbi ekonominë globale, veçanërisht në botën në zhvillim.” – theksoi ai.