Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, ka thënë se ndërprerja e furnizimit me energji nga Rusia do trondisë ekonominë dhe e vëhtirësojë edhe më shumë jetën e njerëzve të zakonshëm.
Varësia nga lëndët djegëse fosile ruse mbetet ‘krahasisht e lartë’, tha Habeck për ARD të dielën.
“Nëse e fikim çelësin menjëherë, do të ketë mungesë furnizimi, madje edhe ndalesa të furnizimit, papunësi masive, varfëri.” – paralajmëroi Habeck, duke shtuar se do të ketë ‘njerëz që nuk do të jenë më në gjendje të ngrohin shtëpitë e tyre’.
“Me qymyrin, naftën, madje edhe gazin, ne jemi hap pas hapi në procesin e pavarësimit”, theksoi ministri.
“Por ne nuk mund ta bëjmë atë në një çast. Kjo është e hidhur dhe nuk është një gjë e mirë moralisht për t’u rrëfyer, por ne nuk mund ta bëjmë ende.” – tha ai.
Në të njëjtën kohë, Habeck tha se Gjermania ka vazhduar të bëhet më e pavarur nga energjia ruse.
Evropa ka qenë nën presion për të vendosur më shumë sanksione ndaj Rusisë në përgjigje të fushatës së saj të vazhdueshme ushtarake në Ukrainë.
Komisioni Evropian tha javën e kaluar se do të heqë gradualisht varësinë e tij nga nafta, gazi dhe qymyri rus deri në vitin 2030, por, ndryshe nga SHBA dhe Britania e Madhe, e bllokoi një ndalim të menjëhershëm të importit të energjisë nga Rusia.
Zyrtarët e BE-së thanë se vendet anëtare duhet të merren me rritjen e çmimeve të energjisë dhe të rimbushin rezervat e gazit përpara dimrit.
Zëvendëskryeministri rus Alexander Novak tha javën e kaluar se sektori energjetik i vendit ishte i përgatitur për sanksione, ndërsa qeveria po punonte për mënyrat për të zbutur ndikimin.