Vendosni fjalën kyçe....

Mungesa e reshjeve, rezerva energjetike në kaskadën e Drinit bie në 313.5 GWh


Viti 2022 nuk duket të jetë një vit i mbarë sa i takon situatës hidrike. Në kaskadën e Drinit rezerva energjetike u pakësua me 48 GWh në vetëm katër ditë duke u ulur në 313. 5 GWh në total në datë 15 mars krahasuar me shifrat e 11 marsit.

Korporata Elektronenergjetike Shqiptare njoftoi se prodhimi ditor në kaskadë është 16 261 MWh. Prurjet e ulëta në liqenet e hidrocentraleve dhe plotësimi i konsumit kryesisht tek prodhimi vendas ka bërë që nivelet e liqeneve të jenë shumë të ulëta duke paralajmëruar një situatë të vështirë në afatshkurtër.

Por si janë nivelet e liqeneve? Konkretisht për hidrocentralin e Fierzës prurjet natyrale janë 100 m3/s, për HEC Koman 32 m3/s, për HEC Vau i Dejës 10 m3/s.

Hec Fierzë në datë 15 mars ishte është 261.18 metra, Hec Koman 173.28 metra, Hec Vau Dejës 73.76 metra.

Kaskada e Drinit menaxhohet në bazë të një rregulloreje të hartuar në vitin 1988. Kjo rregullore parashikon edhe nivelet në të cilat duhet të mbahen liqenet e kaskadës përgjatë dy kohëve. Kështu për Fierzën për shembull niveli i liqenit në periudhën 1 prill – 1 tetor në rregullore është në kuotën 295 absolute, 296 relative. Për periudhën 1 tetor – 1 mars, niveli është në kuotën 289 metra absolute dhe 290 metra relative.

Niveli i Fierzës mbetet ende larg nga shifra maksimale për këtë sezon dhe rritja këtij niveli gjatë këtyre ditëve ka qenë e ngadaltë edhe për shkak të prodhimit të lartë që po bën KESH.

Aktualisht KESH është kompania e ngarkuar për të plotësuar furnizimin në vend sipas kërkesës së konsumit që parashikohet paraprakisht nga OSHEE. Kompania e prodhimit ka marrë atributet e sigurimit të energjisë nga prodhimi i vetë dhe blerjet në treg të lirë për shkak të situatës së emergjencës në furnizim me energji që nisi në tetor dhe është parashikuar deri më 15 prill të këtij viti.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor