Vendosni fjalën kyçe....

Nis votimi për presidentin e ri të FSHF-së


Ka nisur Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme Zgjedhore, ku do të votohet për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit në 4 vitet e ardhshme.

Pak më parë trajneri përfaqësues i U19, Armando Cungu, nisi të thërrasë emrat e delegatëve dhe filloi procesi i votimit. I pari që ka dhënë votën e tij është presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi.

Kujtojmë se Asambleja e zakonshme zgjedhore e FSHF-së që u mbajt më datë 2 mars vendosi që zgjedhjet për postin e presidentit të federatës dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të shtyheshin për ditën e sotme, ora 10:00, në po të njëjtin ambient, në “Shtëpinë e Futbollit”.

Në këtë garë përballë janë tre kandidatë: Kreu aktual i FSHF, Armand Duka, Sulejman Starova dhe Dritan Shakohoxha.

Ndërsa në garë për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv janë: Abdyl Kuriu, Anila Basha, Arben Dervishaj, Bardhyl Jera, Envi Hicka, Ermal Tahiri, Ervin Canollari, Gjergji Petro, Lutfi Nuriu, Pano Xhixho, Vasil Bicaj dhe Ylli Ҫekiҫi.

Koço Kokëdhima mori drejtimin e procesit zgjedhor si drejtues i Komisionit të verifikimit, dhe tha se: “Nga 43 delegatë të pranishëm sot, janë të nevojshme 29 vota në raundin e parë për të zgjedhur presidentin. Nëse nuk ka shumicë, zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve ku mjafton shumica e thjeshtë”.

Para se të niste votimi, kandidati për president Armand Duka mori fjalën për të kërkuar votën nga delegatët e pranishëm.

“Jam i emocionuar dhe me droje nëse e meritoj mbështetjen tuaj, por në të njëjtën kohë nuk kam sepse ne, ju, futbolli, jemi ishulli më i zhvilluar i këtij vendi me 1001 halle. Jemi të 60 në botë për meritat sportive dhe jemi shumë më lart për qeverisjen e mirë, për organizimin, rezultatet dhe investime të kryera.”-tha ai.

Fjalën e mori edhe kandidati tjetër për president, Sulejman Starova.

“Familja jonë e futbollit duhet t’i kërkojë qeverisë përcaktimin e sporteve prioritare në Shqipëri si futbollin numrin 1 dhe kjo të jetë e sanksionuar me ligj. Duhet të përfitojë buxhet financiar vjetor nga shteti. Nëse KOKSH merr 5 milionë euro në vit, minimalja ne duhet të marrim 10.”– u shpreh Starova.