Vendosni fjalën kyçe....

Përfundon takimi me Borrell, Rama: Folëm për Ukrainën dhe integrimin tonë në BE


Ka përfunduar takimi mes përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borrell i cili ka ardhur sot në Tiranë dhe kryeministrit Edi Rama.

Ky i fundit ka zbuluar temat e diskutimit mes tyre gjatë një konference të përbashkët për mediet që po mbahet në Kryeministri.

Rama tha se kanë folur për situatën e luftës në Ukrainë, qëndrimin e Shqipërisë lidhur me këtë si dhe për integrimin e vendit tonë në BE.

“Faleminderit për praninë tuaj. Sot kemi kënaqësinë të kemi në Tiranë përfaqësuesin e lartë të BE-së dhe zv.presidentin e KE-së, Josep Borrell me të cilin kemi diskutuar natyrisht mbi shqetësimin e madh që është krijuar nga lufta në Ukrainë dhe të gjitha pasojat e saj që janë shfaqur në Europë dhe jo vetëm në Europë, fillimisht në formën e rritjes së çmimeve.

Kemi diskutuar patjetër edhe për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe qëndrimin e Shqipërisë në raport me agresionin rus mbi Ukrainën. Por natyrisht pjesë e diskutimit ka qenë edhe ecuria e mëtejshme e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe konkretisht e procesit për hapjen formale të bisedimeve për anëtarësim, gjë për të cilën besoj se z.Borrell do flasë vet.

Sa më takon kam përsëritur atë që dihet botërisht se Shqipëria ka zgjedhur këtë pozicion si pozicionin e vet natyral dhe jo se na e ka kërkuar njeri në Bruksel, Berlin, Paris e qoftë edhe në Uashington. Ne jemi anëtarë krenarë të një Aleance siç është NATO dhe po ashtu jemi europianë krenarë për qenien tonë europiane dhe shqiptarë që shohim nga Europa derën e të ardhmes sonë. Për këtë arsye ne jemi sot në këtë pozicion dhe është një pozicion që na e imponojnë fëmijët tanë. Lufta në Ukrainë është një vijë ndarëse mes botës që ne e njohim mirë të mungesës së të drejtave dhe lirive të izolimit dhe të dhimbjeve të imponuara nga një regjim totalitar dhe botës që kemi sot e cila mund të jetë patjetër shumë më e mirë se çështe por është pa krahasimisht më e mirë se bota që kishim.

Qëndrimi ynë nuk është një qëndrim parimor, por jetësor, ekzistencial në raport me fëmijët tanë dhe me këtë atdhe që e kemi trashëgimi nga të parët tanë dhe ku jemi thjesht kalimtarë.

Folëm për çështjen e bisedimeve. Kjo është çështje e KE-së dhe BE-së. KE e ka thënë në mënyrë të përsëritur që Shqipëria duhet të ulet në bisedime. Këshilli Europian nuk ka mundur ta bëjë këtë për shkak të një bllokimi të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria.”- janë fjalët e Ramës.