Vendosni fjalën kyçe....

Redaktorja ndërpret edicionin e lajmeve në televizionin rus: Mos besoni propagandën, po ju gënjejnë (VIDEO)


Një grua që mbante një pankartë me mbishkrime kundër luftës u shfaq pas spikeres së lajmeve në edicionin e mbrëmjes në kanalin televiziv rus Channel 1.

Pankarta e dukshme pas prezantueses së lajmeve mbante këtë mesazh: “Jo luftës, ndalo luftën, mos i beso propagandës, këtu po ju gënjejnë”.

Gruaja që shfaqet në këtë video është një nga redaktoret e lajmeve në këtë kanal, Marina Ovsyannikova.

Sipas kritikëve, lajmet televizive ruse kontrollohen fort nga Kremlini dhe pasqyrojnë vetëm versionin rus të ngjarjeve në Ukrainë. BBC shkruan se zonja Ovsyannikova besohet të jetë marrë në paraburgim nga policia.

Zëri i saj dëgjohej gjatë transmetimit duke thënë: “Jo luftës! Ndaloni luftën!”.

Para protestës, e cila ndodhi drejtpërdrejt në programin e lajmeve të natës, ajo regjistroi një video në të cilën i quajti ngjarjet në Ukrainë një “krim” dhe tha se i vinte turp të punonte për atë që ajo e quajti propagandë e Kremlinit.

“Më vjen turp që i lejova vetes të them gënjeshtra nga ekrani i televizionit. Më vjen turp që lejova që rusët të shndërrohen në zombie.”– shpjegoi ajo. Ovsyannikova i bëri thirrje popullit rus të protestojë kundër luftës, duke thënë se vetëm ata mund të “ndalojnë çmendurinë”.

Që nga momenti kur identiteti i zonjës Ovsyannikova u bë i njohur, ajo ka marrë në faqen e saj në “Facebook” dhjetëra komente dhe falenderime në disa gjuhë: ukrainase, ruse dhe angleze.