SHBA e paralajmëroi Kinën që të mos ndihmojë Rusinë në çfarëdo mënyre, konfirmoi Shtëpia e Bardhë të hënën, pas një takimi midis këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të presidentit Joe Biden dhe një diplomati të lartë kinez.
Nëse Kina ofron ‘ndihmë ushtarake ose ndonjë ndihmë tjetër’ për Rusinë, do ketë pasoja të rëndësishme, u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki. Për sa i përket asaj që mund të sjellë kjo, Psaki tha vetëm se SHBA do të ‘bashkërendohet me partnerët dhe aleatët për ta vendosur atë’.
Komentet e saj vijnë pas takimit në Romë mes këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Biden, Jake Sullivan, dhe të dërguarit kinez, Yang Jiechi. Ndërsa takimi kishte muaj që po punohej dhe kishte një axhendë të gjatë, u diskutua edhe për konfliktin në Ukrainë.
Të dielën, përpara takimit, Sullivan u tha mediave amerikane se Shtëpia e Bardhë ‘po komunikonte drejtpërdrejt, privatisht me Pekinin, se do ketë pasoja nëse do përpiqet të shmangë sanksionet në shkallë të gjerë ose do mbështesë Rusinë’.
Një zyrtar i paidentifikuar i Pentagonit u tha gazetarëve të hënën se SHBA-ja e ka ndjekur nga afër Kinën lidhur me ‘miratimin e heshtur nga ana e saj për atë që po bën Rusia’ dhe do të ‘vëzhgojë shumë nga afër’ nëse Pekini ofron ndonjë ndihmë ushtarake për Moskën.